Shasivari si ambasadori Meidani: “Do të flitet shqip o taj”, mesazhi që frymëzoi studentët dhe shqiptarët

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, e ka përdorur sloganin “Do të flitet shqip o taj”, i cili u bë i njohur përmes fushatës “FOL SHQIP O TAJ”, që nisi nga ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në mbështetje të studentëve shqiptarë që protestuan për realizimin e Provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Duke iu referuar zgjidhjes për dhënien e provimit në gjuhën shqipe, Shasivari e përdori këtë shprehje si mesazh për heqjen e barrierës gjuhësore, duke theksuar se bëhet fjalë për një reformë rrënjësore dhe një zhvillim të rëndësishëm pas gjashtë dekadash. “Do të flitet shqip o taj. Ua thashë këtë edhe studentëve. Kjo ndodh për herë të parë pas 60 vitesh”, deklaroi Shasivari.

Ministri shtoi se nuk kishte përmendur përqindje, por se po numëronte ditët deri në heqjen e kësaj barriere. “Unë i bëj përllogaritjet mirë, jo me kalkulator, por me orë. I numëroj ditët e fundit kur do të hiqet kjo barrierë gjuhësore”, u shpreh ai.

Slogani që përdori ministri e ka zanafillën te fushata “FOL SHQIP O TAJ”, e iniciuar nga ambasadori shqiptar në Shkup, Denion Meidani, në kohën kur studentët shqiptarë nisën protestat për të kërkuar që Provimi i jurisprudencës dhe provimet e tjera profesionale përkatëse të mund të zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Mesazhi u shndërrua në një shprehje solidariteti që kapërceu kufijtë e lëvizjes studentore, duke frymëzuar jo vetëm studentët, por edhe shqiptarët në përgjithësi, të cilët e panë atë si thirrje për respektimin e gjuhës shqipe dhe të drejtave gjuhësore.

Mbështetjen e ambasadorit Meidani e rikujtoi edhe dje Mevlan Ademi, përfaqësues i lëvizjes studentore, i cili e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme ndaj studentëve shqiptarë dhe ndihmën e ofruar në çdo moment të angazhimit të tyre.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo