Protestat masive në Francë shtyjnë ndeshjen PSG-Lyon

Ndeshja ndërmjet Paris Saint-Germainit dhe Lyonit, e planifikuar të zhvillohej të dielën në kuadër të Ligue 1, është shtyrë për të hënën për shkak të protestave dhe rrezikut të dhunës në kryeqytetin francez.

Liga Franceze e Futbollit njoftoi se vendimi është marrë pas kërkesës së policisë, e cila ka kërkuar që ndeshja të mos zhvillohet të dielën, në mënyrë që forcat e sigurisë të angazhohen në menaxhimin e protestave.

“LFP-ja merr në konsideratë vendimin e policisë që ndalon zhvillimin e ndeshjes ndërmjet Paris Saint-Germainit dhe Olympique Lyonit të dielën në orën 20:45 dhe ka vendosur që ndeshja të zhvendoset për të hënën, në orën 20:30”, thuhet në njoftimin e ligës.

Autoritetet franceze po përgatiten për një tjetër fundjavë protestash në Paris dhe qytete të tjera të vendit, pas përleshjeve dhe akteve të dhunës që shoqëruan demonstratat e javës së kaluar.

Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, ka bërë të ditur se rreth 70 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë do të angazhohen në mbarë vendin gjatë fundjavës, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Protestat lidhen me pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës, ndërsa autoritetet kanë vendosur edhe kufizime të pjesshme të lëvizjes në disa zona të Parisit dhe qyteteve të tjera.

Ndërkohë, ndeshja e NFL-së ndërmjet Pittsburgh Steelers dhe New Orleans Saints, e planifikuar për të dielën në stadiumin “Stade de France”, pritet të zhvillohet sipas orarit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo