“Po përgatitet shit-vjedhja e parcelës së zjarrfikësve” – “Më Mirë për Tetovën” me akuza të rënda ndaj Bilall Kasamit
Tetovë – Lëvizja “Më Mirë për Tetovën” ka akuzuar udhëheqësinë e Komunës së Tetovës, të drejtuar nga Bilall Kasami, se po përgatit, siç e quan ajo, një “shit-vjedhje” të parcelës së zjarrfikësve përmes modelit të partneritetit publiko-privat.
Sipas reagimit, të cilin e përcjell Tetovasot, studimi i fizibilitetit për projektin është hartuar në favor të investitorit privat dhe përmban, sipas tyre, vlerësime të fryra që mund të dëmtojnë interesin publik.
“Më Mirë për Tetovën”, siç raporton Tetovasot, pretendon se vetëm rrënimi i objektit ekzistues prej 885 metra katrorë është parashikuar të kushtojë 350 mijë euro, një shumë që, sipas tyre, është shumëfish më e lartë se çmimet reale të tregut.
Në reagim thuhet gjithashtu se për betonin e armuar të objektit të ri janë parashikuar rreth 6 milionë euro, ndërsa sipas vlerësimeve të inxhinierëve të ndërtimit të cituar nga lëvizja, e gjithë ndërtesa nuk do të duhej të kushtonte më shumë se 13 milionë euro. Ata pretendojnë se në studimin e fizibilitetit vlera totale është llogaritur në 28.5 milionë euro.
Tetovasot raporton se lëvizja e krahason këtë projekt me ndërtimin e Teatrit të Tetovës, duke pretenduar se qytetarët po përballen me një skenar të ngjashëm me atë të së kaluarës.
Në reagim u bëhet thirrje autorëve të studimit të fizibilitetit, prof. dr. Rametulla Ferati dhe doc. dr. Nedime Sallai, që të tërhiqen nga projekti dhe të mos bëhen, siç thuhet, “instrument i një skeme të shit-vjedhjes”.
Po ashtu, “Më Mirë për Tetovën”, siç përcjell Tetovasot, i kërkon kryetarit të Komunës, Bilall Kasami, të heqë dorë nga projekti, ndërsa kryesuesit të Këshillit Komunal, Jusuf Abduli, t’i tërheqë këtë pikë nga rendi i ditës.
Në fund të reagimit, lëvizja u bën thirrje edhe këshilltarëve komunalë të mos e mbështesin projektin, duke paralajmëruar se, sipas tyre, do të mbajnë përgjegjësi politike nëse votojnë pro këtij partneriteti publiko-privat.
Postimi i plote: