Deputetet e VLEN-it në mbështetje të protestave në Tiranë për të rrëzuar Edi Ramën

Deputetet e VLEN-it, Feride Haxhiu dhe Mimoza Musa, kanë reaguar pas protestave në Tiranë, duke shprehur solidaritet me studentët dhe të rinjtë që kërkojnë të drejtat e tyre, si dhe duke bërë thirrje për respektimin e lirisë së shprehjes dhe garantimin e sigurisë së tyre.

Përmes reagimeve në rrjetet sociale, të dyja deputetet kanë shprehur shqetësimin për situatën në kryeqytetin shqiptar, duke theksuar se të rinjtë nuk duhet të trajtohen si kundërshtarë të shtetit, por si pjesë e rëndësishme e së ardhmes së vendit.

“Tirana sonte na dhemb të gjithëve!”, ka shkruar Feride Haxhiu, duke theksuar se të rinjtë janë e ardhmja e Shqipërisë dhe se zëri i tyre duhet të dëgjohet.

“Të rinjtë nuk janë armiq të shtetit! Janë fëmijët e vendit, janë e ardhmja e tij!”, ka theksuar Haxhiu, e cila ka shprehur mbështetje për studentët dhe të drejtën e tyre për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë.

“Me studentët, me rininë, me të drejtën për të ngritur zërin! Dhunës nuk i thuhet po, padrejtësisë nuk i heshtet!”, ka përfunduar ajo.

Edhe deputetja Mimoza Musa ka shprehur solidaritet me studentët, duke vënë në pah shqetësimin e familjeve për sigurinë e fëmijëve të tyre, veçanërisht kur ata dalin për të kërkuar të drejtat e tyre.

“Asnjë prind nuk duhet të ketë frikë për fëmijën e tij vetëm sepse ai ngre zërin. Asnjë student nuk duhet të ndiejë pasiguri kur kërkon të drejtat e tij”, ka shkruar Musa.

Ajo gjithashtu ka theksuar përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar sigurinë e studentëve, për t’i dëgjuar kërkesat e tyre dhe për të respektuar dinjitetin e tyre.

Në fund të reagimit, Musa ka bërë thirrje për solidaritet me studentët shqiptarë, duke theksuar se mbrojtja e të rinjve nënkupton edhe mbrojtjen e shpresës dhe të ardhmes së shoqërisë.

“Solidaritet me studentët e Shqipërisë!”, ka përfunduar deputetja e VLEN-it.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo