Ngjarja e djeshme që ndodhi në Livoç të Ulët të Gjilanit ku dy persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos, pati reagime të shumta.
Në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, u diskutua lidhur me këtë çështje. Gazetarja Arbreshë Uka vuri në pah vështirësitë me të cilat përballen gratë që vendosin t’i japin fund një martese, duke theksuar se në disa raste, ndarjet shoqërohen me kërcënime, presion dhe mospranim nga partneri.
“…Ne e kemi një rast që nuk po e dimë. Ajo gruaja ka kërkuar divorc… dmth ta nxin jetën, të detyrojnë me e pranu nximjen e jetës edhe ti kur guxon me dalë prej vorbullës edhe e merr krejt barren mbi vete (ndoshta je financiarisht mirë ose s’je, e ke një familje që t’përkrah ose s’e ke…), edhe ti del edhe divorcohesh ama ai tipi mendon që ti je prona e tij, ‘kush je ti me m’lanë mu’, qishtu trajtohen ndamjet në Kosovë. Domethënë ne po kemi problem më të madh masi po ndahen…”, theksoi Uka.
Ndërkohë, gazetari Vullnet Krasniqi e ndërlidhi problemin me mungesën e dashurisë dhe mënyrën se si fëmijët rriten brenda familjes.
“…Dashninë ti e sheh kur je në shpi, qysh sillet baba yt me nanën tane, kur e ngon, kur i bërtet, qysh sillet me të”, tha Kraniqi.
Sipas tij, mënyra se si fëmijët i shohin dhe i përjetojnë raportet mes prindërve ndikon në formimin e perceptimit të tyre për marrëdhëniet dhe respektin ndaj partnerit.
Diskutimi pos tjerash riktheu vëmendjen te nevoja për të trajtuar dhunën në marrëdhëniet familjare, presionin ndaj personave që kërkojnë ndarje dhe rëndësinë e edukimit që në fëmijëri.
Sipas Prokurorisë, në rastin e djeshëm, të vdekur mbetën vëllai e motra, teksa dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i viktimës. I plagosur, sipas Prokurorisë, ka mbetur edhe djali i xhaxhait të viktimës.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me datën 09.10.2026, rreth orës 14:30 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Livoç i Poshtëm, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i pandehuri V.R. (38 vjeç) nga Gjilani, për motive akoma të pa njohura, me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën N.B (27 vjeç), vëllain e bashkëshortes, tani të ndjerin E.B (31 vjeç) si dhe ka plagosur rëndë djalin e xhaxhait të bashkëshortes së tij, tani të dëmtuarin M.B (48 vjeç), i cili për shkak plagëve të marra është duke u trajtuar në QKUK”, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Gjilanit. /Klankosova.tv