Forcat ruse kanë lëshuar më shumë se 2 mijë dronë sulmues, rreth 1,700 bomba ajrore të drejtuara dhe 19 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës gjatë javës së kaluar. Shifrat u bënë publike nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të dielën, më 20 shtator.
Në një postim në Facebook, Zelensky tha se shumica e mjeteve ajrore pa pilot (UAV) të përdorura nga Rusia gjatë kësaj vale sulmesh ishin variante me motorë turbojet, të cilat lëvizin me shpejtësi më të madhe dhe paraqesin sfida më të mëdha për sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore.
Zgjedhjet rajonale në Gjermani/ AfD del forcë e parë në Mecklenburg-Vorpommern, humbje për CDU-në e Merz
Sipas presidentit ukrainas, sulmet ruse kanë shënjestruar në mënyrë të përsëritur infrastrukturën civile dhe atë kritike në rajonet e Kharkivit, Sumit dhe Odesës gjatë ditëve të fundit. Ndërtesa banimi janë goditur gjithashtu në rajonet e Dnipropetrovskut dhe Zaporizhzhias.
Zelensky tha se sulmet ajrore gjatë natës dhe në mëngjesin e së dielës prekën edhe rajonet e Vinnytsias, Kievit, Zhytomyr-it dhe Cherkasit.
“Ukraina vazhdimisht kërkon dhe gjen mënyra për të mbrojtur veten dhe për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve kundër jetës së njerëzve”, deklaroi Zelensky.
Ai bëri thirrje gjithashtu për masa të reja ndaj Rusisë, duke kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë forcimin e sanksioneve dhe presionit diplomatik.
“Është e rëndësishme që edhe partnerët tanë të kërkojnë dhe të gjejnë mënyra për ta bërë Rusinë ta ndiejë luftën e saj. Ky është momenti i duhur për të ndërmarrë hapa të rinj sanksionues kundër agresorit dhe për të ushtruar presion për paqe përmes forcës. SHBA-ja, Evropa dhe të gjitha vendet e G7-ës i kanë kapacitetet përkatëse. Ne presim hapa të rinj e të fuqishëm”, tha presidenti ukrainas.