Toshkovski për vizitë në Universitetin e Tetovës: „Qyteti i Sigurt“ jep rezultate, tre viktima në trafik kundrejt nëntë vitin e kaluar
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot në Tetovë zhvilloi takim me rektorin dhe drejtuesit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, me ç’rast vizitoi edhe Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë, ku me udhëheqësinë diskutoi për gjendjen aktuale të sigurisë, sfidat dhe rezultatet e punës.
Në takimin me drejtuesit e Universitetit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me theks të veçantë në krijimin e mundësive që studentët më të mirë të programeve studimore për të cilat Ministria ka nevojë, pas përfundimit të arsimit, t’i vënë njohuritë dhe kapacitetet e tyre në funksion të institucioneve dhe sigurisë së qytetarëve.
Gjatë vizitës në SPB Tetovë u konstatua se gjendja e sigurisë është stabile, ndërsa si veçanërisht të rëndësishme u veçuan rezultatet në fushën e sigurisë në trafik.
Tetova është një nga qytetet ku tashmë zbatohet sistemi „Qyteti i Sigurt“, ndërsa sipas të dhënave për tetë muajt e parë të këtij viti, në zonën e SPB Tetovë në aksidente rrugore kanë humbur jetën tre persona kundrejt nëntë personave në po këtë periudhë të vitit të kaluar. Është ulur edhe numri i përgjithshëm i aksidenteve rrugore.
„Këto janë rezultate që flasin më së miri për përfitimet e sistemit. Kur flasim për ‘Qytetin e Sigurt’, nuk flasim vetëm për sanksionimin e shkeljeve, por para së gjithash për ndryshimin e zakoneve në trafik, për siguri në rrugë dhe për shpëtimin e jetëve njerëzore“, theksoi ministri Toshkovski.
Ai njoftoi se pas disa ditësh zbatimi i sistemit „Qyteti i Sigurt“ do të fillojë edhe në territorin e SPB Veles, pas së cilës sistemi gradualisht do të zgjerohet edhe në sektorët e tjerë të punëve të brendshme në mbarë vendin.
