Në kuadër të vizitës zyrtare në Ankara, sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, realizoi takim me homologun e tij turk, ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy.
Takimi u zhvillua në atmosferë jashtëzakonisht të përzemërt dhe miqësore. Dy bashkëbiseduesit diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, si dhe për potencialet për thellimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në fushën e kulturës dhe turizmit.
Ministrat shkëmbyen pikëpamjet dhe planet e tyre lidhur me veprimtarinë e Qendrave Kulturore-Informative në Shkup dhe Stamboll, projektet aktuale, ndër të cilat edhe ndërtimi i Teatrit Turk në vendin tonë, si dhe aktivitetet që synojnë intensifikimin e promovimit turistik. Gjithashtu, u shqyrtuan nismat që në të ardhmen pritet të japin shtysë të fuqishme për zhvillimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Në takim u theksua edhe bashkëpunimi i suksesshëm me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), përmes së cilës gjatë viteve të kaluara janë realizuar projekte të shumta për mbrojtjen e drejtpërdrejtë të objekteve të trashëgimisë kulturore nga periudha osmane. U konfirmua se në periudhën e ardhshme do të sigurohet mbështetje nga TIKA për mbrojtjen e disa objekteve të tjera.
Të dyja shtetet kanë bashkëpunim të shkëlqyer edhe në kuadër të UNESCO-s, gjë që u nënvizua edhe përmes aplikimeve multinacionale për regjistrimin e dy të mirave në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Në kuadër të vizitës zyrtare, ministri Sulejmani vizitoi Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit dhe realizoi takime me personalitete nga jeta publike dhe politike në Republikën e Turqisë.