Protestat për çmimin e karburantit përhapen në Siri/ Parlamenti thërret ministrin e Energjisë

Protestat kundër rritjes së çmimeve të karburantit janë përhapur në të paktën gjashtë provinca të Sirisë, ku demonstruesit kanë bllokuar rrugë dhe itinerare të cisternave të naftës. Ndërkohë, mbi 50 deputetë kanë kërkuar që ministri i Energjisë, Mohammed al-Bashir, të japë shpjegime për rritjen e çmimeve dhe ndikimin e saj te qytetarët.

Protestat hynë të hënën në ditën e dytë, pasi çmimet e karburanteve u rritën me 25 deri në 40 për qind pas hyrjes në fuqi të një liste të re të përkohshme. Parlamenti ka konfirmuar se al-Bashir do të paraqitet të enjten para Komisionit të Energjisë, pas kërkesës së nënshkruar nga më shumë se 50 deputetë.

Sipas çmimeve të reja, benzina 95-oktanëshe është rritur nga 152 në 195 paundë të rinj sirianë për litër, ndërsa benzina 90-oktanëshe nga 147 në 185 paundë. Rritjen më të madhe e ka pësuar nafta dizel, nga 125 në 175 paundë, ose rreth 40 për qind. Edhe një bombol gazi për familjet është shtrenjtuar nga 1,470 në 1,600 paundë sirianë.

Demonstrata janë raportuar në Hasakah, Deir ez-Zor, Raqqa, Aleppo, Idlib dhe Daraa. Në Hasakah dhe Deir ez-Zor, protestuesit kanë bllokuar rrugët e përdorura nga cisternat e naftës, ndërsa në Idlib është bllokuar autostrada M5 pranë Maaret al-Numan. Në rrjetet sociale janë publikuar gjithashtu pamje nga protesta ku kërkohej largimi i ministrit al-Bashir.

Ministri i Energjisë ka argumentuar se rritja e çmimeve ishte e nevojshme për të ngushtuar diferencën mes kostos së importimit të produkteve të naftës dhe çmimit të shitjes së tyre brenda vendit. Sipas tij, Siria prodhon rreth 102 mijë fuçi naftë në ditë, ndërsa kërkesa e brendshme arrin rreth 325 mijë fuçi, duke e bërë vendin të varur nga importet.

Situata është rënduar edhe nga punimet e mirëmbajtjes në rafinerinë e Baniyas, në provincën Tartus, të cilat kanë reduktuar përkohësisht kapacitetin vendas të përpunimit. Ministria ka deklaruar se çmimet do të rishikohen në varësi të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare dhe rikthimit të rafinerisë në kapacitet të plotë.

Rritja e karburanteve shton presionin mbi ekonominë siriane, e cila ende përballet me pasojat e luftës civile dhe me vështirësi të mëdha sociale e ekonomike. Ndërkohë, protestat dhe presioni parlamentar ndaj qeverisë po rriten, ndërsa qytetarët kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo