Gjykatat iraniane kanë dënuar me vdekje dy gra për pjesëmarrje në protestat antiqeveritare të janarit, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.
Taraneh Rahimi, 20 vjeç dhe Leila Abolhasani, 43 vjeç, janë dënuar në dy çështje të veçanta që lidhen me protestat në Isfahan, ku demonstratat kulmuan më 8 dhe 9 janar.
Rahimi u dënua me vdekje së bashku me nëntë burra të tjerë për incidentet në një shesh të qytetit, ku mbetën të vrarë dy persona, njëri prej tyre pjesëtar i forcave të sigurisë. Sipas organizatave Hengaw dhe HRANA, të pandehur të tjerë, mes tyre edhe motra e Rahimit, Romina, u dënuan me burgime deri në 36 vjet.
HRANA tha se avokatët e të pandehurve nuk kishin pasur qasje në një pjesë të dosjeve dhe nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar dokumentet dhe provat e çështjes.
Ndërkohë, Abolhasani, një kozmetologe dhe nënë e dy adoleshentëve, u shpall fajtore për djegien e një dyqani gjatë një proteste. Të afërmit e saj i kanë mohuar akuzat, duke deklaruar se ajo vetëm po filmonte zjarrin. Çështja e saj është dërguar në Gjykatën e Apelit.
Sipas organizatës Iran Human Rights, që prej fillimit të luftës me Shtetet e Bashkuara, autoritetet iraniane kanë ekzekutuar 29 burra për akuza të lidhura me protestat. Deri tani, asnjë grua nuk është ekzekutuar për akuza të tilla, megjithëse të paktën 16 gra janë ekzekutuar për vepra të tjera penale.
Në muajin prill, Presidenti amerikan Donald Trump kishte bërë thirrje për lirimin e tetë grave iraniane, për të cilat ishte pretenduar se përballeshin me ekzekutim. Megjithatë, më vonë u raportua se disa prej tyre nuk ishin dënuar me vdekje, ndërsa të tjera ishin liruar.
Një prej tyre, Bita Hemati, ishte dënuar me vdekje pasi akuzohej se kishte hedhur blloqe betoni nga një çati drejt forcave të sigurisë. HRANA raportoi më pas se dënimi i saj ishte rrëzuar.