Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami gjatë një takimi me gazetarë ka folur për Planin e ri Gjeneral Urbanistik të Tetovës. Sipas Kasamit, ky është në përgatitje e sipër dhe për shkak të procedurave administrative dhe zgjerimit të zonës së ndërtimit nuk do të mund të miratohet deri në fund të këtij viti. Kasami sqaroi se në ndërkohë do të punohet që të grumbullohen të gjitha të dhënat nga institucionet që do të duhet të inkorporohen në Planin e ri Gjeneral Urbanistik.
“Për shkak se bëhet fjalë për zgjerim të kufijve, të gjitha projektet që kanë qenë jashtë Planit Gjeneral Urbanistik tash bëhen pjesë e planit të ri, është dashur që një nga një të identifikohen, jemi në komunikim me Agjencinë e Planifikimit dhe derisa nuk i marrim lejet nga kjo agjenci nuk mund të shkojmë në fazën tjetër. Jemi në komunikim me operatorin që bën përgatitjen e planit, paralel punohet edhe në studimet tjera, sepse pjesë e Planit Gjeneral janë diku mbi 20 studime që duhet të përgatiten dhe ne punojmë që të përmbushim kohën e humbur derisa të sigurohen kushtet e planifikimit punojmë në përgatitjen e sigurimit të studimeve tjera”, sqaroi kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami. Ai më tej njoftoi se deri në fund të vitit nuk do të jetë gati Plani i ri Gjeneral Urbanistik për Tetovën.
“Pra, kemi situata kur ballafaqohemi edhe me probleme administrative, sepse përgatitja e këtij plani nënkupton mbledhjen e informacioneve nga të gjitha institucionet në shtet dhe në këtë drejtim kemi situatë të paparashikuar, zgjaten procedurat dhe ndoshta do të dalim jashtë afateve të parapara, pra nuk realizohet në 2026”, deklaroi Kasami.
Ndryshe, Tetova më shumë se 20 vite nuk ka Plan Gjeneral Urbanistik dhe funksionin me Plane Detale Urbanistike. Lidhur me Planin Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit, Kasami ka thënë se kanë pasur problem për marrjen e një leje nga drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe tash plani është në Ministrinë e Transportit dhe jemi në koordinim me këtë ministri, shpresojmë që deri të premten të marrim pëlqim dhe pastaj ta vendosim për miratim në këshillin e komunës, ndërsa seanca e radhë është caktuar për ditën e premte. Sipas Kasamit, ndërtimi i qarkores së Kodrës së Diellit dhe asfaltimi i saj, prite që të zgjidhë edhe problemin me parkimin në Kodrën e Diellit.
“Punohet intensivisht në terren dhe presim që së shpejti të asfaltohet rruga dhe me këtë ne do të zgjidhim qasjen për në Kodrën e Diellit, sepse rruga aktuale shpesh herë përdoret edhe si parking”, deklaroi Kasami. Ndryshe, një ndër problemet kryesore në Kodrën e Diellit është edhe mungesa e vendeve të parkimit që shkakton shumë kaos gjatë sezonit dimëror. (Urim Hasipi -Koha.mk)