Një autobus turistik me 48 persona në bord është përmbysur në Zvicrën lindore, në rrugën mes Zernez dhe Susch. Policia ka konfirmuar se ka viktima dhe të plagosur, ndërsa në operacionin e shpëtimit janë angazhuar ambulanca dhe disa helikopterë.
Një aksident i rëndë rrugor me një autobus turistik ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në kantonin Graubünden, në Zvicrën lindore, duke shkaktuar disa viktima dhe të plagosur.
Në autobus ndodheshin 48 persona. Aksidenti ndodhi rreth orës 20:00 në rrugën mes Zernez dhe Susch, në rajonin Engadin. Për arsye që ende nuk janë sqaruar, autobusi u përmbys dhe përfundoi në anë të rrugës.
Policia zvicerane konfirmoi se aksidenti ka shkaktuar viktima dhe të plagosur, por nuk dha menjëherë një bilanc të saktë. Gjendja e personave të lënduar nuk është bërë ende e ditur.
Në vendngjarje u zhvillua një operacion i gjerë emergjence. Disa ambulanca dhe të paktën pesë helikopterë u angazhuan për t’u ardhur në ndihmë pasagjerëve dhe për transportimin e të plagosurve drejt spitaleve.
Sipas informacionit nga gazeta 20 Minuten , autobusi turistik i përket një kompanie me seli në Holandë.



