“Orë ferri” për Himarën flet prefektja Alushi: 6 shtëpi të prekura nga zjarri, 170 efektivë në terren

Vijon edhe këtë të shtunë beteja me flakët në Himarë, ku zjarri që nisi mbrëmjen e së premtes ka përfshirë disa zona dhe ka shkaktuar dëme në banesa.

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, tha se rreth 170 efektivë janë angazhuar në operacion, ndërsa në terren po ndërhyhet edhe me helikopterë.

Sipas Alushit, situata gjatë orëve të para të mëngjesit është përmirësuar dhe po mbahet nën kontroll.

“Jemi sërish në terren duke monitoruar situatën me të gjitha forcat të cilat janë prezente që nga mbrëmja e djeshme”, deklaroi prefektja.

Në operacion janë përfshirë forcat e MZSH-së nga Himara, Delvina, Vlora dhe Saranda, si dhe Forcat e Armatosura.

“Janë rreth 170 efektivë të cilët janë të përfshirë në këtë operacion”, tha Alushi.

Ndërkohë, helikopteri i parë ka nisur ndërhyrjen nga ajri, ndërsa autoritetet presin edhe një tjetër për të vijuar operacionin.

Sa i përket dëmeve, prefektja konfirmoi se janë prekur 6 banesa, 3 të banuara dhe 3 të pabanuara.

“36 banorë janë evakuuar, por jo sepse kemi pasur rrezik për djegien e banesave të tyre, por për efekte parandalimi”, sqaroi ajo.

Një prej zonave ku vijon përqendrimi i forcave është Kodra e Pilurit, ndërsa sipas prefektes rreziku në Fotamë është neutralizuar dhe nuk paraqet më kërcënim për zonën e banuar.

Për dëmet e tjera, përfshirë ato në ullinj, do të bëhet një vlerësim i plotë nga Bashkia Himarë pasi situata të jetë normalizuar.

Sipas prefektes, deri tani nuk ka dëme në gjënë e gjallë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo