Kryeministri Hristijan Mickoski ka theksuar rëndësinë e investimit të kompanisë „Alcazar Energy Partners“ në parkun me erë që po ndërtohet në territorin e komunave Shtip, Radovish dhe Karbinci.
Mickoski tha se investimi, kur të përfundojë në tërësi, do të ketë vlerë rreth gjysmë miliard dollarë dhe do të sjellë kapacitete të reja për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Projekti parashikon një kapacitet prej rreth 400 megavatësh dhe mbi 50 turbina me erë.
„Ne besuam në idenë dhe në ambicien, dhe ajo ide sot ngadalë, por sigurt, po bëhet realitet“, tha Mickoski, duke falënderuar investitorin, huadhënësit dhe institucionet e përfshira në realizimin e projektit.
Sipas kryeministrit, projekti do të krijojë qindra vende pune dhe do të sjellë infrastrukturë të re rrugore në zonën ku shtrihet parku. Pas përfundimit, parku pritet të prodhojë rreth 1 teravat-orë energji elektrike në vit, sasi e mjaftueshme për furnizimin e mbi 100 mijë amvisërive.
Mickoski theksoi se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë investimet „greenfield“, veçanërisht në sektorin e energjisë së rinovueshme.
„Si Qeveri, kemi si prioritet kryesor mbështetjen e këtij lloji të investimeve“, deklaroi ai, duke shtuar se institucionet do të vazhdojnë të punojnë në partneritet me investitorët për realizimin e projekteve të reja.
Parku me erë i Shtipit është një nga projektet më të mëdha të energjisë së rinovueshme në vend. Ndërtimi ka nisur në vitin 2025, ndërsa projekti financohet edhe përmes kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare.
Kryeministri tha gjithashtu se Maqedonia ka potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme dhe se Qeveria synon që vendi të forcojë pavarësinë e tij energjetike.