Mërgim Lushtaku i kundërpërgjigjet ministrit Jeton Shasivari: “Mos bëj deklarata që i shkojnë për shtat armikut!”
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, duke e kritikuar për qëndrimin e tij lidhur me respektimin e vendimeve të gjykatave.
Lushtaku ka deklaruar se ministri duhet të fokusohet në përgjegjësitë e tij dhe në çështjet që prekin shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke e akuzuar atë se ka bërë deklarata që, sipas tij, janë në kundërshtim me interesat dhe dinjitetin e shqiptarëve.
“Ministrit i them: le të merret me punët e tij dhe me çështjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, e të mos lëshohet në deklarata që ngjajnë sikur të jenë shkruar nga dora gjakatare e armikut”, ka shkruar Lushtaku, njofton TS.
Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe vendimit të pritshëm më 16 shtator, deputeti i PDK-së ka shprehur bindjen se çlirimtarët duhet të shpallen të pafajshëm.
“Populli i Kosovës i ka shpallur çlirimtarët të pafajshëm. Edhe vendimi i 16 shtatorit duhet të jetë i tillë”, ka theksuar ai.
Në reagimin e tij, Lushtaku ka përmendur edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke pretenduar se ai nuk duhet të ushtrojë ndikim mbi procesin gjyqësor në Hagë.
“Dhe, në fund, ministrit po ia them edhe këtë: më mirë t’i thuash kryeministrit tënd, Mickoskit, të mos i kërkojë mikes së tij, Trendafilovës, të ushtrojë presion mbi trupin gjykues në Hagë për vendimin ndaj çlirimtarëve”, ka shkruar Lushtaku.
Ai e ka mbyllur reagimin me zotimin se do të vazhdojnë ta mbrojnë, siç shprehet, të vërtetën, dinjitetin dhe shtetin e Kosovës.
“Ne do ta mbrojmë të vërtetën, dinjitetin dhe shtetin tonë, ashtu siç e mbrojtën gjeneratat para nesh”, ka përfunduar deputeti i PDK-së.