Ja çka do të bëjë Jeton Shasivari për rastet: E Agim Islamit, “Monstra”, Almirn e vogël , Kumanovës dhe Harun Aliut (VIDEO)
Ministri i Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, është pyetur nga gazetari i portalit TetovaSot lidhur me disa prej rasteve më të ndjeshme gjyqësore që prej vitesh kanë shkaktuar debate dhe dyshime në opinion, përfshirë rastin “Alfa”, rastin e Almirit të vogël, “Monstra”, rastin e Kumanovës dhe rastin e Harun Aliut.
I pyetur se çfarë do të bëjë për këto raste dhe nëse do të ketë veprime konkrete nga Ministria e Drejtësisë, Shasivari tha se bëhet fjalë për çështje të grumbulluara ndër vite dhe se për to ekzistojnë dyshime të ndryshme.
“Këto janë çështje që janë grumbulluar një periudhë të gjatë kohore, ka dyshime për të gjitha këto raste. Qëndrimi im është zbatimi i sundimit të së drejtës dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”, deklaroi Shasivari për TetovaSot.
Sipas tij, këto raste duhet të trajtohen me kujdes, duke pasur parasysh se kanë ndodhur në periudha të ndryshme dhe se për secilin rast duhet të respektohen procedurat dhe kompetencat ligjore.
“Kur flasim për këto raste që ka pasur dyshime, duhet të jemi të vetëdijshëm se të gjitha këto raste kanë ndodhur në periudha të ndryshme. Në kuadër të kompetencave të mia, krejt çka është në kompetencë ligjore e kushtetuese, do të bëhet”, tha ministri.
Shasivari theksoi se çështjet e drejtësisë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre.
“Sipas qëndrimeve të opinionit, protagonistë të këtyre rasteve janë edhe shqiptarë, edhe maqedonas, edhe komunitete të tjera në vendin tonë”, u shpreh Shasivari.
Shasivari, përmes përgjigjes së tij për TetovaSot, nuk paralajmëroi konkretisht rihapjen e ndonjërit prej këtyre rasteve, por u zotua se brenda kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese do të veprojë në drejtim të sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.