Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, në fjalimin e tij në mbledhjen e Bordit Qendror të LSDM-së, ku u zgjodh nënkryetar i partisë, bëri thirrje për unitet, besim të ndërsjellë dhe punë të përbashkët.
“Jo gjithmonë duhet të mendojmë njësoj. Jo gjithmonë duhet të pajtohemi. Por duhet të dimë se çfarë na bashkon. Këto janë parimet tona, mbrojtja e socialdemokracisë dhe lufta për një jetë dinjitoze të qytetarëve”, tha Gerasimovski.
Ai theksoi se mendimi ndryshe nuk duhet të jetë shkak për ndarje, por nxitje që partia të bëhet më e fortë. Sipas tij, hapi i parë drejt rikthimit të besimit te qytetarët është që anëtarët të bisedojnë më shumë, të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të punojnë së bashku.
“Vetëm të bashkuar mund t’i kundërvihemi fuqishëm regjimit të DPMNE-së. Vetëm të bashkuar mund t’i mbrojmë vlerat tona. Dhe vetëm të bashkuar mund ta rikthejmë sërish besimin e qytetarëve”, tha Gerasimovski.
Duke falënderuar kryetarin Venko Filipçe dhe bashkëpartiakët për besimin, Gerasimovski theksoi se këtë funksion e pranon me një ndjenjë të madhe përgjegjësie. Ai tha se do të jetë i hapur për çdo anëtar, për çdo ide të mirë dhe për çdo kritikë që mund ta bëjë partinë më të mirë.
“Nuk ka vend për ndarje. Nuk ka vend për ego. Nuk ka vend për të qëndruar mënjanë dhe për të pritur që dikush tjetër ta kryejë punën. Secili është i rëndësishëm. Secili është i nevojshëm. Fuqia e LSDM-së nuk ka qenë kurrë te një person. Fuqia e LSDM-së ka qenë te njerëzit”, theksoi Gerasimovski.
Ai e përmbylli fjalimin me një thirrje drejtuar bashkëpartiakëve: “Të bashkohemi. Të ngrihemi. Dhe të tregojmë se LSDM-ja ka forcë të ecë sërish përpara”.