Deklarata skandaloze për krerët e UÇK-së, Shasivari për TS: “I besoj Hagës, dhashë një mesazh neutral dhe europian” (VIDEO)
Pas deklaratave të tij të ditëve të fundit, të cilat shkaktuan reagime të shumta lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ministri i Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka sqaruar qëndrimin e tij në një prononcim për portalin TetovaSot.
I pyetur nga gazetari i TetovaSot nëse beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Shasivari tha se qëndrimi i tij ka qenë i bazuar në parimin e prezumimit të pafajësisë dhe se nuk ka marrë anë në këtë proces.
“Përderisa janë në këtë fazë të prezumimit të pafajësisë, kjo është e përfshirë në mesazhin tim që pata. Nuk kam marrë anë. Mesazhi im ka qenë për shtetin e Kosovës dhe popullin e Kosovës, për sakrificën”, deklaroi Shasivari për TetovaSot.
Ai tha se është ndjerë i obliguar, si shqiptar, të përcjellë një mesazh që, sipas tij, ishte neutral, evropian dhe mbi të gjitha institucional.
“Më vjen keq që përmes manipulimeve politike shtrembërohen disa pjesë nga qëndrimi im. Dua të potencoj se, si shqiptar, ndjeva obligim kombëtar të jap një mesazh neutral, evropian dhe institucional, para së gjithash në kuptimin e sundimit të së drejtës dhe respektimit të procesit të rregullt gjyqësor”, u shpreh ministri.
Shasivari theksoi se data 16 shtator, kur pritet të shpallet vendimi për ish-krerët e UÇK-së, është afër dhe se pas vendimit do të ketë një tjetër mesazh të tij për Kosovën dhe qytetarët e saj.
“16 shtatori është afër. Pas shpalljes së vendimit do të kemi edhe një mesazh për Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha për TetovaSot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Ndërkohë, vetë Shasivari në mesazhin e publikuar një ditë më parë ka insistuar se më 16 shtator nuk duhet të gjykojë politika apo emocionet, por gjykata, duke kërkuar respektimin e vendimit, cilido qoftë ai.