BFI-ja NË MRIZIM

Kur një institucion që duhet të organizojë jetën fetare zgjedh heshtjen, pyetja nuk është më
se çfarë bën, por pse nuk bën atë që duhet të bëjë

Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog

Çfarë është sot Bashkësia Fetare Islame? Një institucion që organizon dhe udhëheq jetën fetare të
myslimanëve në vend? Një autoritet shpirtëror e institucional? Një organizëm që duhet të jetë i
pranishëm në çdo problem të rëndësishëm të komunitetit? Apo thjesht një strukturë
administrative që shfaqet në ceremoni, pret delegacione, shpërndan mirënjohje, publikon
fotografi dhe herë pas here na kujton se ekziston?
Pa dyshim, BFI-ja nuk është krijuar për të qenë dekor i jetës fetare. As për të qenë një institucion
reprezentativ që kujtohet vetëm në raste solemne. Sipas vetë Kushtetutës së saj, ajo është
organizata që organizon jetën fetare të myslimanëve, ndërsa Rijaseti ka kompetenca të
drejtpërdrejta në organizimin e jetës fetare, mbikëqyrjen e organeve dhe institucioneve, arsimin
fetar, mbrojtjen e të drejtave fetare dhe çështjet financiare.
Atëherë, çfarë po ndodh? Sepse gjithnjë e më shumë krijohet përshtypja se BFI-ja është tërhequr
nga terreni pikërisht atëherë kur terreni ka më shumë nevojë për të. Një bashkësi fetare nuk
mund të jetojë vetëm nga protokolli. Ajo duhet të ketë autoritet moral, profesional dhe
institucional. Duhet të dijë të flasë kur shfaqen dukuri që cenojnë jetën fetare. Duhet të dijë të
reagojë kur shfaqen interpretime të pakontrolluara, përçarje, konflikte, keqpërdorime, probleme
në edukimin fetar apo dukuri shoqërore që prekin drejtpërdrejt komunitetin mysliman. Duhet të
jetë aty dhe jo vetëm në kabinet, jo vetëm në fotografi, jo vetëm në ceremonitë e diplomimit, në
pritjet zyrtare dhe në takimet protokollare. Në terren!
BFI-ja, në vend që të jetë institucioni që e udhëheq dhe e orienton jetën fetare, gjithnjë e më
shumë perceptohet si një institucion që reagon vetëm kur problemi është bërë tepër i madh për t’u
injoruar. Nëse kjo përshtypje është e gabuar, atëherë BFI-ja ka një mënyrë shumë të thjeshtë për
ta përgënjeshtruar: të dalë në terren, të publikojë të dhëna, të tregojë çfarë ka bërë dhe çfarë po
bën. Të tregojë sa xhami i ka jasht kontrollit, sa imamë nuk i binden, sa i ka të diplomuar e sa i
ka fallco! Të tregoje se pse ka pasur nevojë pepër r kaq shumë “bashkësi fetare islame” dhe
grupe religjioze myslimane të regjistruara që kur është instaluar në krye të BFI-së.
Heshtja nuk është transparencë. BFI-ja nuk mund të jetë vetëm spektatore pasive e jetës fetare.
Nëse terreni po mbushet me imamë që nuk e njohin institucionin dhe fillon interpretojnë fenë
sipas bindjeve të veta, çfarë bën BFI-ja? Nëse një xhemat hyn në konflikt me strukturat e saj, a
dialogon, a ndërhyn, a zgjidh problemin apo thjesht e lë konfliktin të zvarritet? Nëse nëpër xhami
shfaqen forma të ndryshme të ligjërimit fetar, a ekziston një mekanizëm serioz profesional për të
ndjekur cilësinë e këtij ligjërimi? Nëse paraqiten dukuri që cenojnë kohezionin e komunitetit, ku
është zëri i institucionit? Këto nuk janë pyetje kundër fesë. Përkundrazi. Janë pyetje për
mbrojtjen e institucionit fetar.

Një BFI e fuqishme nuk duhet të ketë frikë nga pyetjet. Duhet t’u përgjigjet atyre. Çfarë ndodhi
me kuadrin fetar? Pse BFI ka degraduar në një amatorizëm të përçudnueshëm! Pa dyshim, një
nga çështjet më shqetësuese është arsimi fetar dhe përgatitja e kuadrit.
Një nga çështjet më shqetësuese lidhet me vetë institucionin që duhet të jetë burimi kryesor i
përgatitjes së kuadrit fetar të BFI-së: Medreseja “Isa Beu”. Pikërisht këtu lind një pyetje që nuk
mund të anashkalohet: çfarë kuadri synon të nxjerrë sot Medreseja?
Problemi nuk qëndron thjesht te emërtimi i një programi apo te mënyra se si është formalizuar
një dokument arsimor. Problemi është shumë më thelbësor: a është ruajtur në të vërtetë profili i
hoxhës si qëllim i qartë dhe i përcaktuar i këtij institucioni? Nëse, përmes një akreditimi të
kontestueshëm, Medreseja është futur në kornizën e programeve të arsimit të mesëm të rregulluar
me ligjin për shkollat e mesme, ndërsa në atë kornizë nuk përcaktohet profili profesional hoxhë,
atëherë duhet të shtrohet publikisht pyetja: çfarë ndodh me misionin themelor të Medresesë?
Sepse një diplomë e arsimit të mesëm nuk e zëvendëson automatikisht formimin profesional
fetar. Një program mund të jetë i akredituar, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai
përmbush të gjitha nevojat e një institucioni fetar. Akreditimi është një procedurë formale,
përgatitja e kuadrit fetar është një përgjegjësi institucionale, profesionale dhe shpirtërore.
Shoqëria ka ndryshuar. Çështjet dhe problemet po ndryshojnë. Edhe mënyra se si njerëzit
informohen, binden, ndikohen dhe orientohen ka ndryshuar. Prandaj duhet të ndryshojë edhe
formimi i kuadrit fetar. Dhe këtu BFI-ja ka një përgjegjësi që nuk mund t’ia delegojë askujt
tjetër. Kur arsimi fetar humb lidhjen me profesionin, nuk mjafton të kemi një program të
akredituar.
Brenda shumë problemeve ekziston edhe një që dhemb shumë. Ku mbeti tradita humanitare?
Historia e OH Hilal lidhet me një traditë të hershme të organizimit humanitar të myslimanëve në
vend. Herën e fundit kur BFI njohton se po shërndan ndihma humanitare ka qenë viti 2021, në
bashkëpunim të “Hilalit” dhe një partner nga Turqia, ka shpërndarë 80 tonë ndihma humanitare,
ose rreth 4 mijë pako ushqimore gjatë Ramazanit për familjet në nevojë në vend. Po sot, ku është
ai kapacitet humanitar? Ku është organizimi? Ku janë projektet? Ku është prania e BFI-së në
familjet që kanë nevojë për ndihmë? Ku është solidariteti i organizuar? Nëse aktiviteti humanitar
është zvogëluar, pse? Nëse jo, ku janë rezultatet?
Ndërkohë, humanizmi nuk ka vdekur. Dhe këtu ndodh diçka edhe më interesante. Kur
institucionet heshtin, njerëzit nuk pushojnë së ndihmuari. Ata vazhdojnë privatisht. Në
komunitete të ndryshme, imamë, xhemate, individë dhe grupe vullnetarësh vazhdojnë të
mbledhin e të shpërndajnë ndihma. Kjo tregon se solidariteti ekziston ende.
Nga ana tjetër, deri më sot, që kur është instaluar Shaqir Fetai në krye të BFI-së, në këtë
institucion ka vdekur transparenca! Dhe pastaj vjen çështja që nuk mund të shmanget: financat.
Nëse ka pretendime për keqpërdorim, vjedhje, zhvatje, shpenzime të pajustifikuara apo dëmtim
të buxhetit të institucionit, atëherë rruga më e mirë është shumë e thjeshtë: të hapen librat, të
publikohen raportet financiare, të hyrat, shpenzimet, donacionet, projektet, pasqyrat financiare,
raportet e auditimit. T’i tregohet komunitetit ku shkojnë paratë që mblidhen prej tij. Nëse
gjithçka është në rregull, transparenca i rrëzon akuzat, nëse ka probleme, transparenca i zbulon.
Në të dyja rastet, fiton institucioni. Një institucion nuk mund të jetojë nga “sukseset” e shpallura
BFI-ja ka një prani publike. Publikon aktivitete. Publikon takime. Publikon pritje. Publikon
ceremoni. Publikon vizita. Në vitin 2026, për shembull, komunikimet publike të BFI-së
përfshijnë organizimin e Haxhit, takime institucionale dhe aktivitete të ndryshme zyrtare.
Megjithatë, aktiviteti protokollar nuk është i njëjtë me aktivitetin institucional. Të presësh një
delegacion nuk do të thotë se ke zgjidhur një problem. Të marrësh pjesë në një ceremoni nuk do

të thotë se ke udhëhequr një proces. Të shpërndash një fotografi nuk do të thotë se ke prodhuar
një rezultat. Një institucion serioz matet me atë që ndryshon në jetën e njerëzve. Sa xhami
funksionojnë më mirë? Sa kuadro janë përgatitur? Sa familje janë ndihmuar? Sa studentë janë
mbështetur? Sa konflikte janë zgjidhur? Sa probleme të komunitetit janë adresuar? Sa projekte
afatgjata janë ndërtuar? Sa politika të reja janë krijuar? Sa është rritur besimi i qytetarëve?
Nga BFI nuk ka përgjigje por vetëm heshtje, ikje nga ballafaqimi, nga debate, vetëm heshtje.
Heshtja ka kosto. Kur një institucion fetar hesht, boshllëkun e mbushin të tjerët. Predikues të
pakontrolluar. Interpretues të vetëshpallur. Influencues. Grupime. Individë. Thashetheme.
Radikalizime të mundshme. Përçarje. Dhe, pikërisht për këtë arsye, një BFI e fuqishme nuk
duhet të trembet nga autoriteti.
Nëse BFI-ja është dobësuar, pyetja duhet të jetë si për Shaqir Fetain edhe për Rijasetin,
muftinitë, strukturat profesionale, institucionet arsimore, këshillat dhe mekanizmat e kontrollit.
Kushtetuta e BFI-së i jep Rijasetit rol të rëndësishëm në mbikëqyrje, ndërsa vetë sistemi
institucional parashikon mekanizma të ndryshëm përgjegjësie. Ku është Kuvendi? Ku është zëri i
njerëzve që kanë përgjegjësi institucionale? Një institucion nuk mund të mbahet peng i heshtjes
së një njeriu. Sepse institucioni fetar nuk është pronë e individit që e drejton për një mandat. As e
kabinetit, rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve dhe as njerëzve që duartrokasin. Ai është
institucion i komunitetit. BFI duhet të kthehet në terren dhe të jetë më e pranishme. Më
profesionale dhe transparente. Duhet të jetë e hapur ndaj kritikës. E fuqishme në arsim, në
humanizëm. Më e pranishme në xhami. Nuk është vonë dhe, asnjë institucion nuk është i dënuar
të mbetet në gjendjen në të cilën ka hyrë. Natyrisht, kjo bëhet me reformim, me transparencë, me
profesionalizëm, me njerëz që nuk kanë frikë të thonë të vërtetën edhe kur ajo dhemb dhe, mbi të
gjitha, me një kthim të institucionit te misioni i tij, te përgjegjësia.
Dhe, përgjegjësia fillon atëherë kur institucioni pushon së pyeturi se kush po e kritikon dhe fillon
të pyesë: a ka të drejtë kritika?

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo