BDI kërkon sqarime: A ishte vetura e zv/drejtorit Mustafa Dautit menjëherë pas veturës së të arrestuarit për 17.500 euro ryshfet?





Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas arrestimit në flagrancë të ndihmësdrejtorit të Drejtorisë së Doganave, nën dyshimin për marrjen e 17.500 eurove ryshfet, duke kërkuar sqarime nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria.

Në reagimin e BDI-së pretendohet se gjatë momentit të arrestimit, menjëherë pas veturës së të arrestuarit ndodhej edhe vetura e zëvendësdrejtorit të Doganave, Mustafa Dauti.

BDI kërkon që institucionet kompetente të sqarojnë nëse ky informacion është i saktë dhe, nëse po, pse vetura e zëvendësdrejtorit ndodhej në vendin ku u zhvillua arrestimi.

Partia kërkon përgjigje edhe për disa çështje të tjera:

Kush ndodhej në veturën e Mustafa Dautit?
Përse vetura ishte në atë vend dhe në atë moment?
A është marrë në pyetje Mustafa Dauti apo personat që ndodheshin në veturë?
A po hetohet mundësia që rasti i 17.500 eurove të lidhet edhe me persona të tjerë brenda hierarkisë së Drejtorisë së Doganave?

“Kur një zyrtar kapet në flagrancë për një tender, hetimi nuk mund të përfundojë vetëm te personi që ka marrë paratë. Duhet të zbardhet i gjithë zinxhiri: kush e organizoi, kush e dinte dhe kush qëndronte pas tij”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI u bën thirrje MPB-së dhe Prokurorisë që të japin përgjigje të qarta dhe të plota për opinionin, ndërsa kërkon që rasti të hetohet në të gjitha nivelet e mundshme.

Pretendimet e ngritura nga BDI-ja mbeten për t’u verifikuar nga institucionet kompetente.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo