Automobil-bombë në Pakistan, të paktën 31 të vrarë

Të paktën 31 persona kanë vdekur dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur në një sulm të koordinuar kundër një kompleksi policor në veriperëndim të Pakistanit. Një makinë e ngarkuar me eksploziv goditi një xhami ndërsa policët dhe familjet e tyre ishin mbledhur për namazin e së premtes.

Sulmi ndodhi në qytetin **Kohat**, në provincën Khyber Pakhtunkhwa, pranë kufirit me Afganistanin. Pas shpërthimit, sulmues të armatosur u përpoqën të hynin në kompleks, pas së cilës filloi një përleshje e gjatë me forcat e sigurisë.

Sipas informacioneve të fundit të Reuters, autoritetet lokale policore e ngritën numrin e të vrarëve në të paktën 31. Raportet fillestare të së premtes flisnin për 16, pastaj për 21 të vrarë, ndërsa ekipeve të shpëtimit vazhdonin t’i nxirrnin njerëzit nga rrënojat.

Mes viktimave ka policë, por edhe civilë dhe anëtarë të familjeve të tyre që ishin në xhami gjatë lutjes.

Sulmi nuk mbaroi me shpërthimin e parë. Persona të armatosur arritën të barrikadohen brenda kompleksit, ku strehohen njësi policore dhe antiterroriste. Forcat pakistaneze njoftuan se operacioni përfundoi pas rreth 20 orësh. Sipas AP, u gjetën trupat e tetë sulmuesve, ndërsa disa prej tyre aktivizuan eksploziv gjatë përleshjeve.

Informacionet se kush qëndron pas sulmit nuk janë plotësisht të pajtueshme. Talibanët pakistanezë – TTP, që në vitet e fundit qëndrojnë prapa një numri të madh sulmesh kundër forcave të sigurisë, kanë mohuar përgjegjësinë e drejtpërdrejtë, ndërsa raporte të tjera thonë se sulmin e mori përsipër një grup i armatosur i lidhur me komandantin Hafiz Gul Bahadur.

Kohat ndodhet në një nga pjesët më të paqëndrueshme të Pakistanit. Khyber Pakhtunkhwa në muajt e fundit po përballet me një valë të re sulmesh kundër policisë dhe ushtrisë, veçanërisht në zonat pranë kufirit afgan.

Vetëm një ditë para sulmit në Kohat, gjashtë ushtarë pakistanezë u vranë nga një bombë e vendosur pranë rrugës në distriktin fqinje Hangu. Forcat e sigurisë më pas njoftuan se në disa operacione vranë dhjetë militantë të dyshuar.

Marrëdhëniet mes Pakistanit dhe Afganistanit po përkeqësohen më tej për shkak të këtyre sulmeve. Islamabadi akuzon qeverinë talebane në Kabul se u lejon TTP-së dhe grupeve të tjera të armatosura të përdorin strehëza në territorin afgan dhe prej aty të organizojnë aksione në Pakistan.

Autoritetet afgane i refuzojnë këto akuzime.

Tensionet këtë vit kanë çuar edhe në sulme ajrore pakistaneze kundër objektivave në Afganistan, për të cilat Islamabadi thotë se ishin kampe dhe pozicione të grupeve të armatosura. Kabuli, nga ana tjetër, akuzoi se u goditën edhe zona civile.

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif e dënoi sulmin në Kohat dhe urdhëroi shpejtimin e operacioneve të shpëtimit, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme mesazhoi se sulmet nuk do ta ndryshojnë politikën e shtetit kundër grupeve të armatosura.

Sulmi në Kohat është një nga më vdekjeprurësit në Pakistan këtë vit dhe një konfirmim tjetër se pjesa veriperëndimore e vendit po bëhet sërish qendër e aktivitetit serioz militant.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo