Prishtinë – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë pjesëmarrjes në “Marshin për Liri”, deklaroi se tubimi është një mbështetje për historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për ish-bashkëluftëtarët që po përballen me procese gjyqësore në Hagë informon Tetovasot.
Ahmeti tha se mijëra qytetarë janë mbledhur për të mbrojtur, sipas tij, “historinë më të lavdishme jo vetëm të Kosovës, por edhe krenarinë kombëtare të UÇK-së”.
“Bashkëluftëtarët tanë, kontribuuesit më të mëdhenj për lirinë dhe pavarësinë, po gjykohen për vepra që nuk i kanë kryer,” u shpreh Ahmeti.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, procesi nisi pas raportit të Dick Marty-t, të cilin e cilësoi si të bazuar në “shpifje monstruoze”.
Deklaratat e Ahmetit u bënë gjatë manifestimit “Marshi për Liri”, ku morën pjesë mijëra qytetarë nga trevat shqiptare në shenjë mbështetjeje për ish-pjesëtarët e UÇK-së.TS