SKANDAL: Drejtori i Agjencisë për të Drejtat e Komuniteteve në Maqedoni glorifikon kasapin dhe kriminelin e luftës Ratko Mlladiqinm, kërkohet reagim nga Qeveria dhe Prokuroria

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Mersiha Smailoviq, ka reaguar ashpër ndaj një publikimi të shpërndarë nga drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë institucionale dhe mesazhin që, sipas saj, i përcillet komuniteteve që kjo agjenci ka për detyrë t’i mbrojë.

Smailoviq pretendon se Kitanoviq ka shpërndarë, gjatë orarit të punës, përmbajtje që glorifikon figura çetnike, si dhe Ratko Mlladiqin, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera ndërkombëtare, përcjell TS.

Në reagimin e saj, Smailoviq i drejtohet ministrit Bekim Sali dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, duke i pyetur se çfarë të drejtash po promovon dhe mbron një zyrtar i cili, sipas saj, shpërndan përmbajtje të tilla.

Ajo ngre gjithashtu shqetësimin se një situatë e tillë mund të ndikojë në ndjenjën e sigurisë së punonjësve të Agjencisë, veçanërisht pjesëtarëve të komuniteteve që, sipas mandatit të institucionit, duhet të mbrohen dhe të përfaqësohen.

“Ky nuk është vetëm një qëndrim personal. Kjo është çështje e përgjegjësisë institucionale, besimit dhe sigurisë”, shkruan Smailoviq.

Në fund të reagimit, aktivistja kërkon reagim nga Qeveria dhe Prokuroria Publike, duke e cilësuar rastin si çështje që kërkon shqyrtim institucional.

Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve ka për mandat avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe kontributin në ndërtimin e besimit ndëretnik dhe barazisë./TS

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo