Shtetasi rus vret tre persona në Mal të Zi, largohet nga vendi i ngjarjes me një “Seat Cordoba”





Policia e Malit të Zi është në kërkim të shtetasit rus 30-vjeçar, Mikhail Shabunin, i dyshuar për kryerjen e një vrasjeje të trifishtë pasditen e sotme në afërsi të Danillovgradit.

Tri trupa pa jetë janë gjetur në poligonin privat të qitjes “Češka Zbrojovka”. Sipas informacioneve të para, viktimat janë Petar Globarević (24 vjeç) nga Podgorica, Momir Radonjić (67 vjeç) nga Danillovgradi dhe Nemanja Kapor (20 vjeç) nga Podgorica. Të gjithë ishin të punësuar në poligon.

Policia po verifikon nëse Shabunin është larguar nga vendngjarja me një automjet të llojit “Seat Cordoba” me targa PG AC 472, i cili i përket babait të njërit prej viktimave.

Pas raportimit të rastit, vendi i ngjarjes është bllokuar plotësisht dhe në kërkim janë përfshirë njësi speciale të policisë. Gjithashtu po kontrollohen akset rrugore drejt Podgoricës dhe Nikshiqit.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos largohen nga shtëpitë e tyre dhe të shmangin lëvizjen në ambient të hapur gjatë kohës që vazhdon kërkimi, pasi i dyshuari konsiderohet i armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë.

Drejtoria e Policisë u bën apel të gjithë atyre që e vërejnë të dyshuarin ose kanë informacione për lëvizjen e tij, të raportojnë menjëherë në numrin pa pagesë 122 ose përmes aplikacionit “Policija CG”. Informacionet mund të dërgohen edhe në mënyrë anonime.

Hetimet po udhëhiqen nga prokurori kompetent i Prokurorisë së Lartë Shtetërore në Podgorica, ndërsa motivet dhe të gjitha rrethanat e këtij sulmi të përgjakshëm janë ende duke u konfirmuar.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo