Muhamet Ameti: Kronika e një rrugëtimi trevjeçar të LD-së : Nga entuziazmi i ndryshimit te reflektimi për të ardhmen

Nihamet Ameti

Sot është trevjetori i themelimit të Lëvizjes Demokratike. Më 13 gusht 2023, një grup bashkëmendimtarësh, pas rrugëtimit të nisur me Grupin e Zjarrit dhe veprimtarisë në kuadër të BDI-së, vendosëm të themelonim Lëvizjen Demokratike. Nuk ishte një vendim i lehtë, por një zgjedhje që buronte nga besimi se zëri ndryshe, mendimi kritik dhe një vizion i ri për përfaqësimin politik të shqiptarëve duhej të dëgjoheshin.

Nuk ishte rastësi që u zgjodh pikërisht data 13 Gusht. Ajo përkon me përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit që ndryshoi historinë politike dhe shënoi avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kjo marrëveshje u arrit fal sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe rolit të Ali Ahmetit, si prijësi i saj.

Lëvizja Demokratike u ngrit mbi entuziazmin e madh të qindra aktivistëve dhe bashkëveprimtarëve që besuan se po ndërtonim një alternativë serioze dhe një subjekt demokratik. Ky rrugëtim kulmoi me bashkimin e opozitës shqiptare dhe krijimin e koalicionit VLEN në vitin 2024. Me mbështetjen e rreth 107 mijë votave, koalicioni u bë pjesë e qeverisë së re, duke bartur pritjet e mëdha të qytetarëve për ndryshim real, qeverisje më të mirë dhe forcim të pozitës së shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Fatkeqësisht, me kalimin e kohës pritjet u zbehën deri në dëshpërim. Në vend të zhvillimit të proceseve politike për shqiptarët, filluan përplasjet e brendshme dhe lufta për eliminimin politik të atyre që kishin dhënë kontribut dhe që nuk pranuan të ecin rrugës së vasalitetit si dëshiron agai, u lanë jashtë vendimmarrjes, duke larguar njerëzit që mendonin ndryshe, ndërsa u favorizuan vetëm ata që u bindeshin verbërisht kryetarëve të partive, deri në shuarjen e zërave kritik.

Pikërisht sot, në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit dhe në trevjetorin e Lëvizjes Demokratike, qytetarët kanë mundësi ta krahasojnë vetë realitetin me premtimet.

Në vitin 2024, BDI dorëzoi pushtetin me arritjen më të lartë të përfaqësimit politik të shqiptarëve, kryeministrin e parë shqiptar në historinë e Maqedonisë. Sot, megjithëse VLEN-i është pjesë e pushtetit, pyetja që shtrohet para çdo qytetari është: ku jemi sot dhe çfarë peshe politike u ka mbetur shqiptarëve? Ndonëse ndodhen në zyrat e pushtetit, shqiptarëve u ka mbetur vetëm një rol ‘NISHTO’ pa fuqi të mirëfilltë vendimmarrëse, me ndikim të zbehur dhe gjithnjë e më të kufizuar në proceset kyçe shtetërore.

Për fat të keq, fjalët e mëdha dhe premtimet për ndryshim rezultuan vetëm flluska sapuni. Sot shihet qartë se ata që premtuan ta forconin pozitën e shqiptarëve e kanë dobësuar atë, duke humbur besimin e qytetarëve dhe peshën politike që shqiptarët kishin ndërtuar me dekada. Kur mungon vizioni, guximi dhe përkushtimi, pushteti shndërrohet vetëm në luftë për poste.

Prandaj, 13 Gushti nuk duhet të jetë vetëm një datë përkujtimore, por një thirrje për ndërgjegjësim kombëtar. Shqiptarët duhet t’i dënojnë me votë politikat që i kanë nënçmuar dhe dobësuar, e të rreshtohen përkrah atyre që kanë dëshmuar me vepra se dinë t’i mbrojnë interesat kombëtare. Ali Ahmeti, si udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe kontribuesi kryesor në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, ka lënë pas fakte dhe rezultate që nuk mund të zhbëhen. Historia e tregon qartë se ku ishin shqiptarët para atij rrugëtimi dhe ku arritën nën udhëheqjen e tij.

Sot, më shumë se kurrë, nevojitet unitet për të ndalur nënçmimin ndaj shqiptarëve, për të rikthyer dinjitetin, peshën politike dhe respektin që u takon. Historia ka dëshmuar se vetëm me udhëheqje të fortë, vizion dhe bashkim mund të mbrohen dhe të avancohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

P.S. Mjafton të shihen zhvillimet brenda VLEN-it për të kuptuar se eliminimi politik nuk ishte një rast i izoluar. Sot, jashtë këtij rrugëtimi ndodhen Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, ish-nënkryetari i Lëvizjes BESA Fatmir Limani, si dhe shumë funksionarë, aktivistë e bashkëveprimtarë të tjerë. Kur një koalicion humb brenda një kohe kaq të shkurtër kaq shumë figura me peshë politike, secili qytetar mund të nxjerrë vetë përfundimin se ku qëndron problemi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo