“Mjaft më me vrasjen dhe dhunën ndaj grave”, Haxhiu reagon pas vrasjes së 80-vjeçares në Prizren





Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së 80-vjeçares në Prizren, duke kërkuar hetim të plotë dhe të shpejtë të rastit dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.

Ajo tha përmes një reagimi në Facebook se vrasja e 80-vjeçares, e ndodhur vetëm dy ditë pas rastit të vrasjes së gruas në Malishevë nuk duhet të trajtohet si një rast i izoluar.

“Mjaft më me vrasjen dhe dhunën ndaj grave! Jeta dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të mbrohen me çdo mjet”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të zhvillojnë hetim të plotë dhe të shpejtë, ndërsa autorët të marrin dënimin më të ashpër të paraparë me ligj.

Sipas Haxhiut, krahas zbardhjes së plotë të rasteve dhe vënies së përgjegjësve para drejtësisë, rëndësi të veçantë ka parandalimi i dhunës para se ajo të përshkallëzohet në vrasje.

“Çdo rast duhet të zbardhet deri në fund, por po aq e rëndësishme është që dhuna të njihet dhe të ndalet para se të përfundojë në vrasje.

Institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre.

Familjes së të ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, tha ajo

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo