Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari kanë shkelur qëllimisht Kushtetutën e vendit.
Hamza tha se situata tashmë ka kaluar nga kriza politike në krizë kushtetuese dhe institucionale.
“Jemi sot këtu së bashku me deputetët tanë dhe deputetët e Aleancës sepse LVV, Kurti, Haxhiu dhe Dehari e kanë kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimisht e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, jo një afat të vendosur nga PDK, jo nga opozita por nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Sot nuk kemi më vetëm kriza politike, por edhe kriza kushtetuese dhe institucionale. Institucionet po funksionojnë në një terren të pasigurt me shkelje kushtetuese, me shkelje të Rregullores së Kuvendit ndërsa përgjegjësia politike po shtyhet nga një ditë politike. Kjo nuk është normale dhe nuk do lejojmë të bëhet normale”, tha Hamza