Gjenden mbetjet e 23 personave në Zubin Potok, Kurti: Ka nisur identifikimi përmes ADN-së

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se shtrirja e sundimit të ligjit dhe sovranitetit të Kosovës në veri ka ndihmuar në zbulimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Ai tha se në të kaluarën, kur institucionet e sigurisë së Kosovës nuk kishin prani në veri, nuk kishte pasur zbulime të tilla.

Në varret masive në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore të 23 personave që dyshohet se janë të grupit prej po aq personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. 13 prej tyre janë gjetur në lokacionin e parë, mes Kalludrës së Madhe dhe të Vogël, 4 prej tyre në Jabukë ndërsa 6 mbetje mortore janë gjetur në lokacionin tjetër, në Kalludër.

“Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër, atë të identifikimit, pasi veçse janë marrë dhe dërguar për analizë të ADN-së mostrat e mbetjeve që dyshohet se u përkasin katër personave të gjetur në fshatin Jabukë. Ndërsa për të tjerët po vazhdon procesi paraprak i ekzaminimeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore,” tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Ai tha se numri 23 përkon me grupin e po kaq intelektualëve, që më 19 prill 1999 u ndaluan, rrëmbyen dhe sipas tij, u pushkatuan nga forcat e Serbisë.

“Numri 23 përkon me atë që njihet si Grupi i Intelektualëve, të cilët më 19 prill të vitit 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal,” deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe janë zhvilluar në Kalludër të Vogël, Jabukë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës. Lidhur me dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile, pas nisjes së gërmimeve në veri, janë arrestuar tre persona të dyshuar të cilët gjenden në paraburgim.

Ndërkohë javën e kaluar policia e Kosovës në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, aty ku u zbuluan tri varreza masive kishte zbuluar edhe një arsenal armësh, municionesh, e uniformash ushtarake të Serbisë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo