Në përvjetorin e 34 të formimit të Armatës, buxheti këtë vit ka arritur në 2 për qind të Prodhimit Bruto Vendor. Në ceremoninë e mbajtur në Ohër Ministri i Mbrojtjes Misajllovski tha se Armata ndodhet në procesin më intensiv të pajisjes dhe modernizimit që nga themelimi i saj duke paralajmëruar se gjatë këtij viti do të pajiset edhe me dy helikopterë
„Aktualisht, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm si organi më i lartë profesional dhe me aleatët tanë, po punojmë në dokumente të reja strategjike që do të na japin drejtim për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse. Po e modernizojmë Armatën, por në të njëjtën kohë po i përmirësojmë edhe kushtet në të cilat punojnë ushtarët tanë“. – Vllado Misajllovski – ministër i Mbrojtjes.
Presidentja Siljanovksat thotë se ambienti aktual konfliktual ndërkombëtar, në të cilin shteti ndërton sigurinë dhe mbrojtjen e tij, zhvillohet me dinamikë të paparashikueshme, e cila po ndryshon perceptimet e deritanishme për të kuptuar fenomenin e kërcënimit dhe mënyrën se si mund dhe duhet t’i përgjigjemi atij.
„Kapja dhe mbajtja e hapit është parakusht i rëndësishëm për çdo shtet në NATO, gjë që imponon detyrimin për ndarjen e mjeteve për modernizimin e pajisjeve dhe teknologjive në përputhje me sfidat bashkëkohore të sigurisë. Prandaj, për mua është e qartë se një armatë moderne ndërtohet me kuadër të trajnuar mirë dhe të përgatitur, me njohuri, organizim dhe aftësi për t’i shndërruar mjetet e reja në fuqi reale operative“. – Gordana Siljanovska Davkova – presidente.
Me qëllim të forcimit të kapaciteteve të saj, shteti ka nënshkruar me SHBA-në marrëveshje të reja për furnizimin me armatim të lehtë të këmbësorisë, sisteme të mjeteve ajrore pa pilot, sisteme për luftë kundër mjeteve të blinduara, pajisje për mbrojtje kibernetike, pajisje për mbështetje ajrore, radio-pajisje, si dhe për përmirësimin e Qendrës së Simulimit në Veles. Më shumë se 180 pjesëtarë të Armatës janë të angazhuar në kuadër të forcave tokësore të dislokuara të NATO-s, KFOR-it dhe EUFOR-it.