Betohen deputetët e Kuvendit të Kosovës, VV nuk jep emër për kryetar. Ndërpritet seanca konstituive (VIDEO)





Këtë të enjte në ambientet e Kuvendit te Kosovës po mbahet seanca konstituive, e cila ka nisur pak pas orës 10:00. Seanca po kryesohet nga Avni Dehari, i cili është deputeti më i moshuar, ashtu siç e kërkon procedura. Gjatë seancës gjithashtu janë betuar deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, thuhet në tekstin e betimit.

Pas betimit, seanca ka vijuar me bisedimet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kryeministri, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje pasi mori fjalën në Kuvend tha se iu nevojitet kohë shtesë për marrëveshje politike me partitë, duke mos prezantuar kështu emrin e LVV për kryetar të Kuvendit. Kjo ka sjellë që seanca të ndërpritet për disa minuta.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo