Trump paralajmëron Iranin: 1.000 raketa janë gati nëse tentohet atentat ndaj meje

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të premten se do të lëshojë mijëra raketa ndaj Iranit nëse Teherani përpiqet ta vrasë atë, transmeton Anadolu.

Trump shkroi në platformën e tij Truth Social se “1.000 raketa janë të gatshme për lëshim dhe të drejtuara ndaj Republikës Islamike të Iranit, ndërsa mijëra të tjera do të pasojnë menjëherë, nëse qeveria iraniane vepron sipas kërcënimit të saj, të shprehur në shumë pjesë të botës, për të vrarë ose për të tentuar të vrasë presidentin në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë rast, mua!”

Ai shtoi se “urdhrat tashmë janë dhënë”, duke pretenduar se ushtria amerikane është “e gatshme, e vendosur dhe e aftë” për një periudhë njëvjeçare, me mundësi zgjatjeje, “ta shkatërrojë plotësisht dhe ta rrafshojë çdo pjesë të Iranit”.

Trump më herët deklaroi se armëpushimi me Iranin ka “marrë fund”, por tha se Washingtoni ka pranuar të vazhdojë bisedimet e kërkuara nga Teherani.

Së fundmi, Izraeli ka ndarë me SHBA-në informacione inteligjence që, sipas një raporti të Wall Street Journal, tregojnë se Irani kishte hartuar një plan të ri për atentat ndaj Trumpit.

Në muajin qershor, Irani dhe SHBA-ja nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, të ndërmjetësuar nga Pakistani, me synimin për t’i dhënë fund luftës që nisi në fund të muajit shkurt dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.

Memorandumi parashikonte ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve në të gjitha frontet, heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, këtë javë të dyja palët shkëmbyen sulme për shkak të kalimit të trafikut tregtar në ngushticë. SHBA-ja goditi objektiva në Iran, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke sulmuar objektiva amerikane në rajon.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo