Presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur të përfunduar armëpushimin me Iranin, pasi mbrëmë të dyja palët shkëmbyen përsëri zjarr në Ngushticën e Hormuzit. Duke i quajtur mashtrues, Trump nga samiti i NATO-s në Ankara porositi se negociatat me regjimin iranian janë humbje kohe, ndonëse pak më vonë tha se do t’i lejojë negociatorët të vazhdojnë bisedimet.
„Mendoj se ka mbaruar. Nuk dua të kem më asgjë të bëj me ta. Ata janë plehra, a e dini çfarë janë plehrat? Ata janë plehra, janë njerëz të sëmurë, të udhëhequr nga njerëz të sëmurë dhe janë njerëz të ligj e të dhunshëm. Po të kishin armë bërthamore, do t’i përdornin. Sa më takon mua, ka mbaruar“, deklaroi Trump.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi herët sot në mëngjes se ka sulmuar 80 objektiva të ushtrisë iraniane, marinës dhe Gardës Revolucionare, pasi iranianët sulmuan tre kargo-anije (tankerë) në Ngushticën e Hormuzit. Teherani njoftoi se si përgjigje ndaj kësaj, ata kanë kryer sulme mbi bazat amerikane në Kuvajt dhe Bahrein.
Se sulmet ishin të arsyetuara e konsideron edhe Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, sipas të cilit, Republika Islamike e ka shkelur vazhdimisht armëpushimin.
„Mendoj se kjo ishte absolutisht e nevojshme, sepse kishte një armëpushim dhe Irani po e shkelte atë. Pamë se çfarë ndodhi dje me sulmet ndaj anijeve, mendoj se ishte absolutisht vendimtare që SHBA-ja të reagonte me forcë“, theksoi Rutte.
Kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbejnë zjarr që nga shpallja e armëpushimit dhe fillimi i negociatave, por është hera e parë që Trump, i zemëruar, e shpall të vdekur të gjithë procesin.
Rundi i fundit i negociatave u mbajt javën e kaluar në Katar, ku nuk u arrit asnjë përparim. Ky eskalim erdhi pasi presidenti amerikan, para mbërritjes në Ankara, tërhoqi licencën që u lejonte iranianëve të shisnin naftë, gjë që ishte pjesë e marrëveshjes kornizë të arritur muajin e kaluar.
Rreth 50.000 ushtarë amerikanë dhe dy grupe luftarake detare do të mbeten të dislokuara në rajon, të paktën deri në fund të verës, njoftoi Pentagoni, duke injoruar rezolutën e miratuar më parë në Kongresin amerikan për përfundimin e veprimeve luftarake kundër Iranit.