Tragjedi në Bangkok! Të paktën 27 persona humbin jetën nga zjarri që përfshiu një bar, dhjetëra të plagosur
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një bar në Bangkok të Tajlandës gjatë natës së së dielës, duke shkaktuar të paktën 27 viktima dhe duke lënë mbi 60 persona të plagosur, tetë prej tyre në gjendje kritike.
Sipas autoriteteve, flakët shpërthyen pranë skenës së lokalit “Rong Beer Na Lat Phrao”, në lagjen Chatuchak, dhe u përhapën me shpejtësi në të gjithë ambientin. Dëshmitarët thanë se energjia elektrike u ndërpre menjëherë, ndërsa tymi i dendur mbushi lokalin, duke shkaktuar panik mes klientëve.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz që vrapojnë për të shpëtuar, disa prej tyre me rrobat në flakë, ndërsa përpiqen të dalin nga hyrja kryesore e barit.
Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje pak pas mesnatës dhe arritën ta vinin zjarrin nën kontroll brenda rreth 30 minutash. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit, shumica e viktimave u gjetën në një banjo, ku besohet se ishin strehuar për t’i shpëtuar flakëve dhe tymit.
Hetimet paraprake të Departamentit të Parandalimit të Fatkeqësive në Bangkok sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik në një kondicioner, megjithatë autoritetet theksojnë se shkaku zyrtar do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të ekspertizës.
Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, i cili vizitoi vendin e ngjarjes, tha se një muzikant që po performonte në momentin e shpërthimit të zjarrit i kishte treguar se fillimisht u dëgjuan disa shpërthime, ndërsa më pas njerëzit u përpoqën të largoheshin nga tymi dhe flakët. Sipas tij, shumë prej viktimave u drejtuan drejt pjesës së pasme të ndërtesës dhe u strehuan në tualete, por nuk arritën të shpëtonin.
Drejtori i Departamentit të Parandalimit të Fatkeqësive në Bangkok, Suriyachai Raviwan, deklaroi se shumica e viktimave dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e thithjes së tymit.
Ndërkohë, guvernatori i Bangkokut, Chatchart Sittipunt, tha se materialet dekorative të ndezshme në tavan mund të kenë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Ai shtoi se pranë daljes së emergjencës janë gjetur persona pa ndjenja, çka ngre dyshime se mund të ketë pasur pengesa që kanë vështirësuar evakuimin.
Një motoçiklist, i cili ndihmoi në shpëtimin e disa personave, tha se përdori rrobat e tij për të shuar flakët në trupat e të plagosurve. “Ndihem i dëshpëruar. Pashë shumë vdekje dhe nuk e di çfarë ndodhi me njerëzit që ndihmova,” u shpreh ai.
Autoritetet kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e tragjedisë.
Ngjarja rikthen në vëmendje problemet e vazhdueshme me standardet e sigurisë nga zjarri në Tajlandë. Në vitin 2022, një zjarr në një lokal pranë Bangkokut vrau 22 persona, ndërsa në vitin 2009, 66 persona humbën jetën në zjarrin e një klubi nate në kryeqytet gjatë festimeve të Vitit të Ri