Pak ditë para protestës së paralajmëruar në Tetovë lidhur me çështjen e emrave të rrugëve, në disa pjesë të qytetit janë shfaqur grafite me përmbajtje politike, raporton Tetovasot.
Në mure janë shkruar mesazhe si “Hajdutët e Vakëfit” dhe “Hyzmeqarët e Serbisë”, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe kanë nxitur reagime në rrjetet sociale.
Siç raporton Tetovasot, grafitet janë shfaqur në prag të protestës së paralajmëruar për 11 korrik, e organizuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emërtimin e disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë.
Për momentin nuk dihet se kush qëndron pas këtyre mbishkrimeve dhe nuk ka reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me autorët apo nëse do të ndërmerren masa për largimin e tyre.
Tetovasot do të vijojë të ndjekë zhvillimet dhe do t’ju informojë për çdo reagim zyrtar që mund të pasojë.

