S’prodhon rezultat takimi me Hamzën, Kurti pasdite takon Abdixhikun

Ka përfunduar pa ndonjë rezultat takimi në mes të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza. Kryetari i PDK-së, e ka bërë të qartë se partia që ai udhëheq do të qëndrojë në opozitë, pas një takimi me kreun e VV-së dhe njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ku u diskutua për themelimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit. Edhe Kurti tha se takimi nuk prodhoi rezultate që do të mund t’i ndante me publikun, por e vlerësoi si konstruktiv.

Në një deklaratë për media, Hamza i uroi suksese në këtë drejtim Kurtit, me partitë e tjera.

“Do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike brenda kuvendit, në interes të qytetarëve. Për të gjitha ato çështje me interes unë kam insistuar dhe premtuar se vota e PDK-së do jetë pro, duke përfshirë marrëveshje financiare, ndërkombëtare, që janë në interes të qytetarëve. PDK do a ketë rolin e vet konstruktiv si parti opozitare. Të gjitha partitë e tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV. LVV duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre”, është shprehur Hamza.

“Ju e dini qëndrimin tim që unë kam dal me prioritete, me ekonomi, në energji, në arsim e Drejtësi, për me u zbatu këto projekte PDK nuk ka vija të kuqe me askënd. Bazuar në bisedat që kemi pas, normalisht korrekte, PDK është në opozitë. Dhe ne i dëshirojmë suksese zotëri Kurtit, dhe partive tjera”, ka deklaruar Hamza.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të qershorit, përgjegjësia e tij është për formimin e Qeverisë, por shtoi se për çështjen e presidentit, përgjegjësia bie te të gjitha partitë, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale.

“Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, pra dikush i asnjë partie politike, që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale e qytetare dhe të jetë shprehje e unitetit, siç e kërkon kushtetutshmëria. Për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentin të gjithë kemi përgjegjësi”, tha Kurti.

Pas Hamzës, Kurti pasdite pritet të takojë edhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Takimi Kurti-Abdixhiku do të zhvillohet në ora 18:00.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit kushtetues.

LVV ka dalë e para në zgjedhje me 53 mandate, ndërsa PDK ka fituar 22 ulëse, LDK 18 dhe AAK shtatë ulëse në Kuvend./Reporteri.net/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo