Një copë letër Jetonit dhe dy llafe Agonit!

Rami Mislimi

Emërimi i dy ministrave të rinj të VLEN-it nuk bëri aq zhurmë jashtë koalicionit, sa bëri brenda tij.

Kundërshtarët ishin më të shumtë se sa mbështetësit.

Jetoni u paraqit si “eksperti” që do ta shpëtonte imazhin e VLEN-it, ndërsa Agoni u emërua në heshtje për të mbuluar varrosjen e ASH-së brenda VLEN-it.

Sot nuk ka më rëndësi kush i propozoi dhe si u bënë ministra. Shqiptarët do t’i gjykojnë vetëm nga ajo që do të lënë pas.

Jetonin e njoh prej shumë vitesh, që nga koha e Alternativës me Harun Aliun. Agonin e njoh që nga ditët kur qëndronte në krah të Menduh Thaçit.

Për Jetonin kam respekt. Është njeri me dije, me karakter, me sinqeritet dhe me integritet. Është nga ata njerëz që ligjin nuk e përdorin si dekor, por e jetojnë. Edhe kur fle, fle mbi ligje dhe duket sikur mendon për drejtësinë.

Por pikërisht për këtë arsye mendoj se ai po hyn në betejën që do t’ia njollosë gjithë karrierën e tij.

Jo sepse nuk di. Jo sepse nuk do. Por sepse nuk do mundet.

Një ministër nuk bën drejtësi vetëm me diplomë dhe me guxim. Duhet ta ketë pas shpine një pushtet politik që nuk frikësohet. Jetoni nuk e ka. Ai nuk ka një lider të fortë që e mbron. Ka dy liderë që mezi mbrojnë vetveten.

Prandaj, sa të jetë ministër, nuk besoj se do të zbardhet rasti Harun Aliu, Monstra, Kumanova, Almiri, Brodeci, Alfa, Bit Pazari apo 27 Prilli dhe rastet e tjera.Të gjitha rastet për të cilat shqiptarët kanë kërkuar drejtësi do të mbeten aty ku janë.

Jetoni mund të ketë vullnet, por nuk do ta ketë fuqinë. Sepse fuqia nuk buron nga zyra e ministrit, por nga pesha politike e atyre që e kanë emëruar (Bilalli dhe Izeti).

Dhe pesha politike e Bilallit dhe Izetit po shihet ska nevojē as ta shkruajmë.

Kam frikë se nesër, kur drejtësia të dështojë, Bilalli dhe Izeti do ta gjejnë fajtorin gati. Do të thonë: “Ne e sollëm ekspertin, por eksperti dështoi.”

Kështu Bilalli dhe Izeti do t’i lajnë duart, ndërsa njolla do t’i mbetet Jetonit.

Në fund, në CV-në e tij nuk do të shkruhet vetëm “ish-ministër i Drejtësisë”. Do të shkruhet edhe se gjatë mandatit të tij nuk u zbardh asnjë nga rastet që shqiptarët i konsiderojnë padrejtësi historike.

Jetoni kam frikë se edhe provimin e Jurisprudencës do ta bëj pak shqip e pak maqedonisht, sepse SHQIP se bën dot kurrë.

Për Agonin kam vetëm dy fjalë.
I uroj të merr kredi për të paguar shoferin, sepse ministria që ka marrë nga Stoilkoviçi nuk ka buxhet as për këtë, e lëre më për të bërë ndryshime serioze në dobi të shqiptarëve.

Prandaj, shpresa nuk ndërtohet me ministra pa pushtet dhe as me dy “xhimca” liderë pa peshë politike.

Shqiptarët duhet ta kërkojnë shpresën diku tjetër e bashkë edhe Jetonin me Agonin, sepse me VLEN-in, deri më sot, shpresa është shndërruar në zhgënjim.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo