Shkruan Adnan Azizi
Prej kohësh kam thënë se BDI nuk sillet si një parti politike normale që garon me ide, programe dhe rezultate. Ajo vazhdon të funksionojë me logjikën e etiketimit, të listave dhe të krijimit të armiqve politikë. Kush nuk mendon si ata, shpallet tradhtar, armik apo rrezik.
Kjo kulturë politike nuk është e re. Është një mentalitet që mbështetet te frika, dezinformimi dhe stigmatizimi i kundërshtarit, në vend të debatit demokratik dhe perballjes me argumente politike.
Sot shqetësimi më i madh nuk është më vetë BDI-ja, por fakti që propaganda e saj, sipas bindjes sime, po arrin të ndikojë edhe në institucionet e shtetit shqiptar. Kjo është alarmante.
Nëse qytetarë të Shqipërisë ose të Maqedonisë së Veriut përfundojnë në ndalesa kufitare apo përballen me masa të tjera vetëm mbi bazën e informacioneve politike të pakonfirmuara, atëherë kemi një problem serioz institucional. Një shtet ligjor nuk mund të marrë vendime mbi thashetheme, etiketime apo raporte politike. Vendimet duhet të mbështeten vetëm në fakte, prova dhe verifikime të plota.
Është e dhimbshme nëse krijohet përshtypja se mjafton që dikush të hartojë lista me emra dhe t’i paraqesë ato si të vërteta, ndërsa institucionet t’i pranojnë pa hetim dhe pa verifikim. Një praktikë e tillë nuk i shërben as drejtësisë, as demokracisë dhe as marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi, krijon mosbesim, ndasi dhe armiqësi të panevojshme mes të njëjtit komb.
Për mua, kjo është pasoja më e rrezikshme e politikës së BDI-së: përpjekja për të eksportuar konfliktet e saj politike dhe për t’i paraqitur kundërshtarët si problem sigurie, në vend që t’i përballë me argumente politike.
P.S.
Asnjëherë nuk më ka udhëhequr frika apo kërcënimi. Më udhëheq arsyeja dhe bindja ime.
Kam qenë dhe mbetem i mendimit se protestat qytetare duhet t’u përkasin qytetarëve. Përzierja e partive politike apo e faktorëve nga jashtë, qoftë nga Tetova në Tiranë apo nga Tirana në Tetovë, nuk i ndihmon organizatorët, por ua dëmton kauzën. Historia e viteve të fundit e ka treguar se ndërhyrje të tilla nuk kanë prodhuar rezultatet e pretenduara.
Por kjo nuk do të thotë se duhet cenuar liria individuale. Çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë në një protestë pa u kërcënuar, pa u etiketuar dhe pa u ndëshkuar politikisht. Nuk jetojmë në diktaturë dhe askush – as partitë politike, as shteti dhe as çfarëdo strukture tjetër – nuk ka të drejtë t’i diktojë qytetarit se ku mund të shkojë, çfarë mund të mendojë apo në cilën protestë mund të marrë pjesë.
Liria individuale është e shenjtë dhe duhet të mbrohet pa dallim bindjesh politike.