Në Universitetin e Tetovës specializantet e para të Mjekësisë Familjare e mbrojtën me sukses provimin teorik

Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Shkencave Mjekësore, më 7 korrik 2026, shënoi një
moment të rëndësishëm me organizimin e mbrojtjes së provimit teorik të specializimit në Mjekësi
Familjare nga katër specializantet e para të këtij programi. Kandidatet Dr. Fexhide Rakipi, Dr.
Lindora Alii, Dr. Vesna Gjorkovska dhe Dr. Ramize Aliju e kurorëzuan me sukses një etapë të
rëndësishme të formimit të tyre profesional, duke u bërë gjenerata e parë e specializantëve të
Mjekësisë Familjare në Universitetin e Tetovës.
Në ceremoninë solemne morën pjesë Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti,
Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, Zëvendësministri i
Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, drejtues të universitetit, profesorë, anëtarë të komisionit
dhe familjarë të specializanteve.
Në hapje të aktivitetit, dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Nevzat Elezi, prezantoi
ecurinë e programeve të specializimit në fakultet, duke theksuar zhvillimin dhe avancimin e
vazhdueshëm të studimeve specialistike, si rezultat i angazhimit institucional për ngritjen e cilësisë
në arsimin mjekësor.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, e cilësoi këtë ditë si një moment të
veçantë për universitetin dhe për sistemin e arsimit të lartë. “Sot nuk është thjesht një datë në
kalendarin akademik, por një festë e dijes, e përkushtimit dhe e vizionit për të ardhmen e
shëndetësisë sonë. Universiteti i Tetovës krenohet që po kurorëzon me sukses gjeneratën e parë të
specializantëve në Mjekësi Familjare, duke dëshmuar se vazhdon të përgatisë profesionistë të aftë
dhe të përkushtuar ndaj shërbimit të qytetarëve.” – u shpreh rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Ai rikujtoi se programet e specializimit u akredituan më 28 mars 2022 dhe falënderoi
Zëvendëskryeministrin Bekim Sali për kontributin e dhënë në këtë proces gjatë kohës kur drejtonte
Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, Universiteti i Tetovës sot numëron tetë programe të akredituara
të specializimit, ku aktualisht ndjekin studimet 61 specializantë, prej të cilëve 10 në Mjekësi
Familjare.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, i cili
vlerësoi progresin e Universitetit të Tetovës në avancimin e arsimit të lartë dhe mbështetjen
institucionale për zhvillimin e programeve specialistike.
Ndërkaq, Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, e vlerësoi këtë ditë si rezultat të një pune
shumëvjeçare dhe një dëshmi të zhvillimit të Universitetit të Tetovës. “Sot po shohim specializantët
e parë që mbrojnë titullin specialist në Mjekësi Familjare në Universitetin e Tetovës. Ky është një
sukses jo vetëm për ta, por edhe një arritje e rëndësishme institucionale, që dëshmon se investimi në
arsimin e lartë dhe zhvillimin e universiteteve është investimi më i sigurt për të ardhmen e shtetit” –
deklaroi Sali.
Ai theksoi se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë reformat në arsimin e lartë, zgjerimin e
programeve të specializimit, investimet në infrastrukturë, laboratorë modernë dhe kërkim shkencor,
me qëllim rritjen e cilësisë së universiteteve dhe përgatitjen e kuadrove profesionale.

Në përfundim të ceremonisë u bë ndarja solemne e certifikatave. Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti
ia dorëzoi certifikatën Dr. Fexhide Rakipit, Dekani Prof. Dr. Nevzat Elezi ia ndau Dr. Lindora Aliit,
Zëvendëskryeministri Bekim Sali ia dorëzoi certifikatën Dr. Vesna Gjorkovskës, ndërsa
Zëvendësministri Driton Sulejmani ia ndau certifikatën Dr. Ramize Alijut.
Ky aktivitet shënon një etapë të re në zhvillimin e Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe të
Universitetit të Tetovës, duke konfirmuar përkushtimin e institucionit për përgatitjen e specialistëve
të rinj që do të kontribuojnë në forcimin e sistemit shëndetësor dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore
për qytetarët.

Në Universitetin e Tetovës specializantet e para të Mjekësisë Familjare e mbrojtën me sukses provimin teorik

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo