Liria e medias nuk matet kur gazetarët lavdërojnë pushtetin. Ajo matet kur gazetari kritikon dhe pushteti e duron kritikën. Pikërisht aty ndahet demokracia nga autoritarizmi.
Kërcënimet ndaj gazetarit Rami Mislimi, që sipas raportimeve vijnë nga zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, janë një alarm serioz. Askush që mban një funksion publik nuk ka të drejtë të ushtrojë presion apo të përdorë gjuhë kërcënuese ndaj një gazetari për shkak të punës së tij. Kur preken edhe familja e fëmijët, është kapërcyer çdo kufi moral dhe njerëzor.Sot Ramiu, nesër ne.Prandaj raagimi duhet të jetë i ashpër dhe të ketë përgjegjësi institucionale.
Pres një reagim të qartë edhe nga VLEN-i. Heshtja në raste të tilla nuk është neutralitet, por dëmton besimin se kjo forcë politike qëndron në anën e lirisë së fjalës. Nuk mund të ndërtohet një kulturë demokratike duke toleruar njerëz që e shohin gazetarin si armik e jo si kontrollues të pushtetit.
Më kujtohet një takim menjëherë pas luftës. Si gazetar opozitar isha mes kolegëve që u takuam me Ali Ahmetin. Ai na tha vetëm një fjali që më ka mbetur në mendje: “Vetëm familjen time mos ma prekni. Për fenomenet, kritikat dhe gjithçka tjetër do të më keni krahë dhe do u mbështes parezervë.Do jem me ju” Mund të mos jesh dakord me shumë politika të BDI-së dhe gabimet e saj gjatë viteve, por nuk mbaj mend që gazetarët të jenë kërcënuar në këtë nivel duke u prekur në gjënë më të shenjtë – familja dhe fëmijët.
Tetova nuk ka nevojë për politikanë që mendojnë se posti u jep të drejtën të frikësojnë gazetarët. Qyteti ka nevojë për njerëz që kuptojnë se pushteti është shërbim, jo armë kundër fjalës së lirë.
Politikanët kalojnë. Mandatet mbarojnë. Karriget ndërrohen. Por një njollë mbetet përgjithmonë , pra ajo e njeriut që mendoi se mund ta mposhtë gazetarin me kërcënim.
Gazetarët nuk duhet të kenë frikë nga pushteti. Përkundrazi, pushteti duhet të ketë respekt për gazetarin, sepse aty ku hesht gazetari, fillon të vdesë demokracia. Dhe Tetova nuk meriton ta jetojë atë ditë.