Google humb betejën me BE-në, konfirmohet gjoba prej 4.1 miliardë eurosh





Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian ka konfirmuar gjobën prej rreth 4.1 miliardë eurosh (4.67 miliardë dollarë) të vendosur ndaj Google, për shkelje të rregullave të konkurrencës në treg. Vendimi lidhet me mënyrën se si kompania ka shfrytëzuar pozitën dominuese të sistemit operativ Android në tregun e pajisjeve mobile. Bëhet fjalë për një nga gjobat më të mëdha antimonopol në historinë e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian e vendosi këtë gjobë rekord në vitin 2018, pasi vlerësoi se Google kishte abuzuar me pozitën dominuese të Android për t’u siguruar aplikacioneve të veta një avantazh të padrejtë në treg.

Sipas Komisionit, kompania, përmes marrëveshjeve me prodhuesit e telefonave inteligjentë, kërkonte që aplikacionet e saj të instaloheshin paraprakisht në pajisje. Kjo praktikë ua vështirësonte konkurrentëve qasjen te përdoruesit dhe kufizonte konkurrencën në treg.

Pas vendimit të Komisionit Evropian, Google paraqiti ankesë në gjykatat e Bashkimit Evropian, duke kërkuar shfuqizimin ose uljen e gjobës.

Megjithatë, gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian e ka lënë në fuqi gjobën prej rreth 4.1 miliardë eurosh, duke i dhënë fund një prej betejave më të rëndësishme ligjore antimonopol mes gjigantit amerikan të teknologjisë dhe rregullatorëve evropianë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo