Gazmend Ajdini në mbështetje të Rami Mislimit: “Kërcënimet nuk mund ta heshtin gazetarin. Sidomos jo te Ramiu!”





Analisti politik Gazmend Ajdini ka reaguar në mbështetje të gazetarit Rami Mislimi, duke dënuar çdo formë presioni apo kërcënimi ndaj gazetarëve dhe duke theksuar rëndësinë e lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike.

Në reagimin e tij, Ajdini thekson se liria e fjalës është një e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë dhe me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Liria e shprehjes e çdo qytetari, e veçanërisht e një gazetari, është e drejtë themelore. Liria e fjalës dhe e drejta e publikut për t’u informuar nuk janë privilegje që pushteti ua jep gazetarëve, por standarde demokratike që ka detyrim t’i respektojë”, ka shkruar Ajdini.

Ai ka theksuar se kritika politike duhet të përballet me argumente dhe jo me presion, frikësim apo kërcënime.

“Mund të mos pajtohesh me një gazetar, mund ta kundërshtosh dhe t’i përgjigjesh publikisht, por assesi nuk mund ta kërcënosh për shkak të fjalës së tij”, është shprehur Ajdini.

Në fund të reagimit të tij, ai ka dhënë mbështetje të plotë për Rami Mislimin, duke theksuar se kërcënimet nuk duhet të përdoren si mjet për të heshtur gazetarët.

“Kërcënimet nuk kalojnë. Sidomos jo te Ramiu!”, ka shkruar Gazmend Ajdini.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo