Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Pritet jostabilitet lokal me reshje të rrëmbyeshme të shiut, bubullima, erë të përforcuar dhe kushte për stuhi të izoluara me breshër, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu, ndërsa përgjatë Luginës së Vardarit herë pas here do të përforcohet.
Në pjesët perëndimore të vendit do të fryjë erë e dobët deri mesatare, herë pas here e përforcuar, nga perëndimi. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 21 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 27 deri në 33 gradë.
Në Shkup moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Në disa pjesë të luginës pritet jostabilitet me reshje të rrëmbyeshme të shiut, bubullima dhe erë të përforcuar.
Temperatura minimale në Shkup do të zbresë deri në 17 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 30 gradë Celsius.
Deri të premten, nën ndikimin e një serie masash ajrore të lagështa dhe të paqëndrueshme, moti do të mbetet me vranësira të ndryshueshme dhe vende-vende jostabil, me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima.
Lokalisht, proceset atmosferike do të paraqiten në formën e stuhive të shkurtra, të shoqëruara me erë të fortë dhe mundësi për breshër. Të premten priten reshje më të dendura shiu.
Për shkak të depërtimit të një mase më të ftohtë ajrore nga veriu, temperaturat do të shënojnë rënie të ndjeshme, njoftojnë nga DPHM-ja.