Ali Ahmeti nga Struga: BDI më e bashkuar, më e organizuar dhe e gatshme se kurrë – kur jemi bashkë, jemi të pathyeshëm!
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sonte në Kuvendin Zgjedhor të Degës së BDI-së në Strugë, ku u zgjodhën organet dhe strukturat e reja drejtuese të degës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti e cilësoi Strugën si qytet të traditës, qëndresës dhe kontributit kombëtar, duke vlerësuar atmosferën e unitetit, përgjegjësisë dhe entuziazmit që, sipas tij, karakterizoi procesin zgjedhor.
“Struga ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat e fuqishme të rrugëtimit tonë politik. Më gëzon fakti që sonte pashë një organizatë të bashkuar, një anëtarësi të vendosur dhe një energji që dëshmon qartë se BDI është më e konsoliduar, më e organizuar dhe më e gatshme se kurrë për përballjet që kemi përpara”, ka shkruar Ahmeti.
Ai uroi sukses drejtuesve të rinj të zgjedhur, duke i ftuar ata të punojnë me përkushtim dhe përgjegjësi në funksion të forcimit të strukturave të partisë.
“Me respekt për çdo aktivist, me besim te njëri-tjetri dhe me përkushtim ndaj kauzës sonë të përbashkët, vazhdojmë përpara. Sepse kur jemi bashkë, jemi të pathyeshëm”, përfundoi Ahmeti.




















