Alarmante gjendja me mungesën e personelit në Shtëpinë e të Moshuarve në Kumanovë. Në vend të 80 të punësuarve, institucioni që ofron shërbime për mbi 170 qytetarë aktualisht funksionon me vetëm 36 punonjës. Është e domosdoshme punësimi i kujdestareve, infermierëve dhe personelit tjetër ndihmës-teknik.
Gjatë viteve të fundit, institucioni në disa raste ka njoftuar për këtë problem. Drejtori i ri tashmë e ka informuar ministrinë përkatëse dhe shpreson në një reagim të shpejtë.
“Nga administrata kemi vetëm dy të punësuar. Një institucion kaq i madh nuk ka kontabilist, jurist, specialist për burime njerëzore dhe punonjës social. Natyrisht, më së shumti na nevojiten kujdestarë dhe infermierë, të cilët, për fat të keq, punojnë dhe japin 150 për qind nga vetja që kjo shtëpi të funksionojë”, deklaroi Aleksandar Krstevski, ushtrues detyre i drejtorit të Shtëpisë së të Moshuarve në Kumanovë.
Shtëpia ka edhe repart geriatrik, ndërsa një pjesë e banorëve nuk mund t’i kryejnë nevojat e tyre themelore pa ndihmë. Institucioni ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me shkollat profesionale, ku nxënësit do të angazhohen si vullnetarë në përpjekje për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve.
Shtëpia e të Moshuarve në Kumanovë është një nga më të mëdhatë në vend dhe kujdeset për banorë nga pothuajse të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut.