
Adnan Azizi
Protesta e djeshme në Tetovë la disa mesazhe të qarta politike, por mbi të gjitha nxori në pah disa konstatime që nuk duhen anashkaluar.
Konstatimi i parë është se politika e ndërtuar mbi shpifje, propagandë dhe përbaltje nuk arrin të fitojë besimin e qytetarëve. Ata që besojnë se mund të rikthehen në pushtet duke prodhuar narrativa të rreme, dje morën përgjigjen më të mirë. Qytetarët nuk iu përgjigjën thirrjes së tyre, nuk e mbështetën atë qasje dhe sheshi bosh ishte treguesi më domethënës i mungesës së besimit. Ky nuk është një fenomen i rastësishëm, por vazhdimësi e asaj që qytetarët e kanë shprehur edhe në zgjedhjet e fundit, ku VLEN shënoi fitore të thellë ndaj BDI-së me rezultatin 10 me 3.
Konstatimi i dytë është se qytetarët gjykojnë mbi bazën e veprave dhe jo të fjalëve. Pavarësisht propagandës, akuzave apo përpjekjeve për të krijuar mjegull politike, në fund vlerësohen rezultatet konkrete. Prandaj përgjigjja më e mirë ndaj çdo fushate dezinformimi është puna edhe më e madhe, përkushtimi dhe realizimi i projekteve që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Në fund, mbetet një mësim që vlen për të gjithë: as një mijë fjalë, sado zhurmë të bëjnë, nuk kanë peshën e një vepre të mirë. Propaganda mund të zgjasë për një kohë, por nuk mund ta zëvendësojë realitetin. Qytetari sheh, krahason dhe vendos mbi atë që prek e përjeton çdo ditë.
Ndërsa realiteti mban vulën e VLEN-it: Punë intenzive për Korridorin 8, autostrada Shkup-Bllacë, Stadiumi i Tetovës, Kampusi i UNT-së dhe shumë projekte të tjera kapitale.