Zbulohet se çfarë do të diskutojë Rama të shtunën me Grupin Parlamentar, fokusi informim për investimin në Zvërnec dhe Sazan

Kryeministri Edi Rama pritet paraditen e së shtunës të drejtojë mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku do të marrin pjesë edhe ministrat.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka zbuluar agjendën e kësaj mbledhjeje, të cilën do ta nisë kreu i Grupit, Taulant Balla, vijuar nga fjala e Kryeministrit Edi Rama.

Si pikë e parë në agjendë është informimi mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, Shqipëri-BE dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit.

Deputetët socialist do të kenë në dispozicion secili nga 2 minuta kohë për të drejtuar pyetje.

Në dokumentin e agjendës, si pikë e dytë renditet informimi mbi Paketën e Ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Pika e tretë e agjendës, e cila mund të konsiderohet si më e rëndësishmja, ka të bëjë me informimin mbi procedurat e ndjekura deri më tani për investimin në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik në ishullin e Sazanit.

Sakaq, Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Administrative, parashikohet në agjendë të informojë kolegët e Grupit socialist mbi ecurinë e deritanishme të reformës territoriale.

Kryetari i Grupit, Taulant Balla, parashikohet të bëjë një informim të zgjeruar mbi detyrat e lëna nga mbledhja e shkuar e të njëjtit format, përfshirë performancën e anëtarëve të Grupit parlamentar.

Si pikë e fundit e kësaj mbledhjeje parashikohet një fjalë e kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla.

Vlen për t’u parë nëse në fjalën e tij, Edi Rama do të ndalet edhe në zhvillimet më të fundit që lidhen me deputeten Martjana Koçeku, apo do të ketë ndonjë koment mbi deklarimet e Elisa Spiropalit për protestën, të shprehura përmes një statusi të gjatë në Facebook 10 ditë më parë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo