Vrasja e policit në Shqipëri, del në konferenë drejtori i policisë: Ishin 40 forca në vendngjarje, kam urdhëruar hetime për operacionin

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dolën një një konferencë për shtyp sa i takon ngjarjes së rëndë në Maliq, ku një efektiv policie humbi jetën dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për të kapur një person në kërkim.

Hita i shprehu ngushëllime familjes së efektivit të rënë, ndërsa shtoi edhe detaje nga operacioni.

Ai tha se kanë qenë 40 forca policie në vendngjarje, të cilët kanë qenë të pajisur me jelekë antiplumb.

“Një punonjës policie i dalluar dhe shembullor ndërroi jetë, dhe mbeti i plagosur një tjetër nga punonjësit e policisë.

Jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjarët e Enea Mekollit, i cili humbi jetën gjatë operacionit. Në orën 7:30 të mëngjesit, forcat policore kanë mbërritur ku strehohej ky person. Ky person ishte i dënuar me 9 vite nga Gjykata e Korçës, ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa arrest me burg për kultivimin e lëndëve narkotike.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, punonjësit e policisë kanë shkëmbyer zjarr, ku mbeti i plagosur edhe i kërkuari. Për të ishin caktuar edhe operacione të tjera, por nuk ishte bërë e mundur arrestimi i tij.

Kam urdhëruar drejtorinë e Përgjithshme për të nisur një hetim për punën që është bërë për të kapur këtë person. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor.

I shpreh ngushëllimet për familjen e Enea Mekollit dhe shërim të shpejtë për kolegun tjetër.

Ata që sulmojnë punonjësit e policisë, do të ndëshkohen maksimalisht. Gjaku i Eneas nuk do të harrohet kurrë.

Kur është kryer operacioni nuk kam pasur dijeni, ky operacion është kryer nga Policia e Korçës.

Punonjësit e policisë janë të gjithë të trajnuar, edhe në këtë rast kanë qenë shërbimet më të specializuara siç janë “Shqiponja”. Në gjykimin e drejtuesve të Drejtorisë Korçë, këto kanë qenë strukturat.

Kanë qenë 40 forca policie. Të gjithë kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori e ka çarë edhe antiplumbin.

Patjetër që duhet të bëhet më e mira në këtë drejtim”, tha Hita.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo