Tmerr në Çeki, gruaja 35-vjeçare akuzohet për vrasjen e fëmijës së saj të porsalindur, dyshohet se ua hodhi qenve!
Një rast që tejkalon kufijtë e arsyes njerëzore dhe ka shkaktuar tronditje është nën mikroskopin e autoriteteve çeke.
Zbulimi i pjesëve të një foshnje të porsalindur në kopshtin e një shtëpie pranë kufirit gjerman, ka çuar në arrestimin e një gruaje 35-vjeçare, e cila akuzohet për vrasjen e fëmijës së saj, ndërsa policia po heton mundësinë që gruaja ua ka dhënë mbetjet e të porsalindurit qenve për t’i ngrënë.
Detajet e rastit po tronditin edhe oficerët më me përvojë të policisë.
Rasti i tmerrshëm filloi të zbulohej javën e kaluar në qytetin Kynšperk nad Ohří të Çekisë, një komunitet i vogël me 5,000 banorë, rreth 20 kilometra larg kufirit me Gjermaninë.
Sipas informacioneve, vjehrra e 35-vjeçares ishte ajo që u përball me pamjen e tmerrshme kur zbuloi dorën dhe krahun e një foshnje të porsalindur të vdekur brenda një qeseje plastike, në një kopsht pas shtëpisë së veçuar ku çifti jetonte me prindërit e burrit.
Autoritetet u mobilizuan menjëherë, me dhjetëra shpëtimtarë dhe oficerë policie që “krehuan” zonën me kujdes dhe me përpikëri në të gjitha kazanët e plehrave në rrugë, megjithatë, pa qenë në gjendje të gjenin pjesën tjetër të trupit të foshnjës.
Duke i përqendruar hetimet e tyre te gratë shtatzëna në zonë, foshnjat e të cilave u zhdukën papritur, policia arrestoi të premten nënën 35-vjeçare.
“Gruaja 35-vjeçare akuzohet për vrasje veçanërisht të rëndë”, tha një zëdhënës i policisë.
Megjithatë, raporti i gazetës çeke “Krimi Plzen” i ka shtuar çështjes një dimension edhe më të tmerrshëm. Hetuesit po e shqyrtojnë seriozisht mundësinë që gruaja ua ka dhënë mbetjet e të porsalindurit qenve për t’i ngrënë.
Ky version i frikshëm konsiderohet si shpjegimi më i mundshëm për faktin se nuk është gjetur asnjë gjurmë tjetër e trupit të fëmijës.