Snopçe: Ligji i ri për lojërat e fatit nuk mbyll kazinotë, por vazhdon të mbrojë industrinë e bixhozit





Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, gjatë shqyrtimit të Propozim-ligjit për lojërat e fatit në komisionin amë, kritikoi ashpër zgjidhjet e propozuara nga qeveria, duke theksuar se ligji nuk sjell asnjë risi krahasuar me propozimet e qeverisë së kaluar, të cilat dikur kundërshtoheshin fuqishëm nga partitë që sot janë në pushtet, theksohet në komunikatë, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.

Sipas Snopçes, premtimi për mbylljen e kazinove nuk po realizohet, ndërsa bastoret vazhdojnë të përjashtohen nga kufizimi prej 500 metrash larg shkollave. Ai theksoi gjithashtu se bixhozi online jo vetëm që nuk ndalohet, por do të vazhdojë të funksionojë nën menaxhimin e shtetit, ndërsa reklamat e industrisë së lojërave të fatit do të mbeten të pranishme në sport, duke ekspozuar fëmijët dhe të rinjtë ndaj kësaj industrie.

Snopçe ngriti shqetësime edhe për ndikimin ekonomik dhe social të bixhozit, duke theksuar se gjatë vitit 2025 në kazino dhe baste sportive janë qarkulluar 2.83 miliardë euro, ndërsa pasojat e varësisë dhe shkatërrimit të familjeve mbeten barrë për qytetarët dhe shtetin. Ai gjithashtu vuri në dukje se kompanitë kryesore të kësaj industrie menaxhohen nga Austria, Çekia dhe Serbia, duke bërë që një pjesë e madhe e parave të qytetarëve të përfundojnë jashtë vendit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo