Rexhepi, reagim: Komuna e Tetovës në të njëjtën vijë me Gjykatën Kushtetuese, kundër identitetit historik të qytetit

Kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj refuzimit të Komunës së Tetovës për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të vitit 2007 për emërtimin e rrugëve në qytet.

Sipas Rexhepit, përgjigjja e Komunës ndaj kërkesës së Grupit të Këshilltarëve të AKI-së dhe Lidhjes Shqiptare është “skandaloze” dhe paraqet një tentim të hapur për t’iu shmangur përgjegjësisë institucionale.

Ai theksoi se ligji parasheh qartë që seanca e jashtëzakonshme thirret me kërkesë të së paku një të tretës së këshilltarëve, ndërsa për arsyeshmërinë e saj duhet të vendosë vetë Këshilli Komunal dhe jo administrata komunale.

“Ne nuk kërkojmë aventurë juridike, por debat urgjent institucional dhe hapje të procedurës për një zgjidhje të ligjshme, të drejtë dhe dinjitoze”, deklaroi Rexhepi.

Ai kritikoi edhe arsyetimin e Komunës se çështja po trajtohet nga komisioni përkatës, duke theksuar se asnjë komision nuk mund ta zëvendësojë rolin dhe kompetencat e Këshillit Komunal.

Sipas Rexhepit, me këtë veprim Komuna e Tetovës është rreshtuar politikisht në mbështetje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilin ai e cilësoi si goditje ndaj identitetit historik dhe dinjitetit të shqiptarëve në Tetovë.

Në fund të reagimit, ai bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe reagim të përbashkët në mbrojtje të, siç u shpreh, historisë, identitetit dhe dinjitetit të Tetovës.

“Është koha që qytetarët, intelektualët, këshilltarët dhe aktivistët të rreshtohen në mbrojtje të Tetovës. Historia, identiteti dhe dinjiteti i saj nuk negociohen”, shkroi Bajram Rexhepi në reagimin e tij publik.

Screenshot
Screenshot
Screenshot
Screenshot

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo